Anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë lëshuar mbledhjen e këtij komisioni.
Musliu tha se kishte marrë pjesë në mbledhje vetëm për të konfirmuar konstituimin e komisionit, por kundërshtoi vazhdimin e punës rutinore të Kuvendit në rrethanat aktuale.
Ajo kërkoi që Kuvendi të ketë prioritet shqyrtimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ky është kërkimi kryesor i qytetarëve që po protestojnë.
“Prandaj, unë e kundërshtoj mbajtjen e një mbledhje rutinë, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës po kërkojnë diçka tjetër dhe ne jemi këtu për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve”, tha Musliu.
Edhe Fadil Demaku tha se Projektligji për Dhomat e Specializuara duhet të jetë “prioriteti numër një” i Kuvendit.
“Çështjet e tjera asnjëra nuk është me nguti dhe të gjitha mund të presin”, tha Demaku, duke kërkuar unifikim të deputetëve për trajtimin e këtij projektligji.
Ndërkohë, kryesuesi i komisionit, Albert Kinolli, tha se po e kryen detyrën e tij si kryetar dhe shprehu shpresën që amendamentimi i projektligjit për Dhomat e Specializuara të procedohet së shpejti në Kuvend.
“Urojmë edhe shpresojmë që shumë shpejt amendamentimi i projektligjit për Gjykatën Speciale do të vijë në Kuvend”, u shpreh Kinolli.



