Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kanë nisur komunikimet ndërmjet subjekteve politike për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit.
Kurti ka thënë se këto kontakte synojnë arritjen e një marrëveshjeje gjatë ditëve në vijim, duke e cilësuar fundjavën si vendimtare për përmbylljen e diskutimeve.
“Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur marrëveshje që javën e ardhshme të kemi president”, tha Kurti.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Sipas arsyetimit të saj, Kuvendi është konstituuar përtej afatit kushtetues prej 30 ditësh dhe, për pasojë, nga konstituimi ka nisur të rrjedhë edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.
Në këtë situatë, Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti i dytë më i madh në Kuvend, ka deklaruar se është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e presidentit, por ka vendosur një kusht: që në Kuvend të miratohen ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.



