Rastet të cilat i trajton Prokuroria Speciale janë të natyrës më të rënde e më të ndjeshme në Kosovë.
Por, ky institucion në raportin e krahasimor të efikasitetit të prokurorive për vitin 2023–2025, del të jetë me përqindjen më të ulët për zgjidhjen e lëndëve që ka pasur në trajtim.
Përqindja e lëndëve nuk dallon shumë nga viti në vit, e që në vitin e kaluar PSRK-ja kishte arritur të zgjedhë 19.77% të lëndëve që kishtë në punë.
“Regjistri PP: janë zgjidhur 45 lëndë më pak se sa janë pranuar, apo 82.35% e lëndëve të pranuara. Në total nga regjistri PP, në Prokurorinë Speciale janë zgjidhur 210 lëndë apo 23.52% e të gjitha lëndëve në punë. Regjistri PPN: janë zgjidhur 55 lëndë më pak se sa janë pranuar apo 79.09% e lëndëve të pranuara. Në total nga regjistri PPN, në Prokurorinë Speciale janë zgjidhur 208 lëndë apo 19.77% e të gjitha lëndëve në punë”, thuhet në raportin e KPK-së.
Kjo çështje ishte pjesë e diskutimeve edhe në mbledhjen e së enjtes në Këshillin Prokurorial të Kosovës, e që sipas anëtarit Visar Krasniqi, këto statistika janë shqetësuese.
“I kemi parë me shqetësim këto lëvizje këtë efikasitet, sepse të them të drejtën PSRK-ja nuk është ndërtu apo themeluar një trup sikur një Prokurori e rendomt apo e zakonshme por ligji i ka dhënë mandat të fuqishëm që përfshin vepra penale të nivelit të lartë..”, ka thënë Krasniqi.
“Këshilli duhet të diskutoj brenda mandatit të tij, veprimet masat duke analizuar gjithmonë në pajtim me bazën kushtetuese e ligjore për të parë se a është problemi në mekanizmat e brendshëm të PSRK-së apo pikërisht bëhet fjalë për mekanizimin drejtues”, ka shtuar shtuar Krasniqi.
Televizioni ka kërkuar një qëndrim edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë që Këshilli Prokurorial i Kosovës, nga ora 15 ka thirrur në një mbledhje të mbyllur ku do të diskutojë këtë cështje në një takim të jashtëzakonshëm, e që Dukagjini ka mësuar se pikë e rendit të ditës do të jetë perfoormanca e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Para takimit, ka mbërritur një paralajmërim nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në lidhje me veprimet që mund ndërmerren në mbledhje, duke rikujtuar se kur ishte shkarkuar Besim Kelmendi nga pozita e UD Kryeprokurorit në vitin e kaluar, Supremja e kishte kthyer atë.
“Kërkesa për llogaridhënie nuk duhet të përdoret si instrument apo mënyrë për ndërhyrje në pavarësinë funksionale të një zyre prokuroriale, sikurse pavarësia nuk mund të shfrytëzohet si arsyetim për mungesë të llogaridhënies,”thuhet në reagim.



