Katër figura të lidhura me Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) kanë kundërshtuar publikisht versionin e paraqitur në aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës për një konflikt apo mosmarrëveshje mes Hashim Thaçit dhe Behajdin Allaqit.
Ramadan Avdiu, Fatmir Brajshori, Bexhet Kelmendi dhe Ali Ahmeti, duke folur në emisionin Debat Plus, kanë mohuar se mes dy figurave të LPK-së kishte pasur përplasje, veçanërisht në takimet e zhvilluara në fillim të viteve ’90.
Në aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Trupi Gjykues ka konstatuar se në vitin 1993 Behajdin Allaqi kishte pasur një mosmarrëveshje serioze me Thaçin dhe Azem Sylën.
Sipas aktgjykimit, kjo mosmarrëveshje lidhej edhe me pretendimin se Allaqi kishte sjellë në radhët e lëvizjes politike Shaban Shalën, të cilin Thaçi dhe Syla e konsideronin si spiun të Serbisë. Gjykata ka konstatuar se kjo kishte ndikuar edhe në rolin që i ishte premtuar Allaqit.
Por, Ramadan Avdiu, i cili thotë se ka qenë i pranishëm në takimin e LPK-së në Kollare të Maqedonisë në vitin 1993, e ka kundërshtuar këtë version.
“Absolutisht është e paqëndrueshme. Nuk e di në çka bazohet. Unë i kam parë disa shkrime dhe një libër dhe kjo është krejtësisht e pavërtetë. Ka pasë debat, në çdo mbledhje është debatu me qëllim që si të organizohemi më mirë”, ka thënë Avdiu.
Sipas tij, takimi në Kollare ishte konsultativ dhe jo mbledhje e përgjithshme e LPK-së.
“Ata dy kanë qenë përfaqësues të Këshilleve të Rretheve. Ajo mbledhje ka qenë konsultative, s’ka qenë mbledhje e përgjithshme. Aty janë mbështet aksionet e armatosura. Është bërë thirrje për unitet dhe mobilizim dhe është vendos që të mbahet mbledhja e katërt e përgjithshme”, ka deklaruar Avdiu.
Ai ka thënë se në grupin e organizimit dhe riorganizimit për mbledhjen e ardhshme ishte zgjedhur edhe Thaçi, me insistimin e Allaqit.
“Me insistimin e Behajdin Allaqit në atë grup është zgjedhur Hashim Thaçi. Ai ka insistuar që të jetë anëtar i Grupit të Organizimit dhe Riorganizimit”, ka thënë Avdiu.
Avdiu ka shtuar se Thaçi dhe Allaqi nuk kishin pasur marrëdhënie të afërt personale.
“Ata janë taku vetëm në takime ose mbledhje. Në mbledhjen në Ujmir. Nuk janë njoftë”, ka deklaruar ai, duke e cilësuar referimin e gjykatës si të bazuar në “thashetheme”.
Ndërkohë, edhe Fatmir Brajshori, një tjetër aktivist i hershëm i LPK-së dhe pjesëmarrës në takimin e Kollares, e ka mohuar kategorikisht ekzistencën e një konflikti.
“Jo, nuk ka pasur konflikt. Duhet disa gjëra të sqarohen. Tjetër është konflikti dhe tjetër është polemika e debati. Në mbledhjet e LPK-së ka pasë debate e polemika, po nuk ka pasë konflikte. Asnjëherë s’kanë ndodh konflikte”, ka thënë Brajshori.
Ai ka kundërshtuar edhe pretendimin se Thaçi kishte synuar ta eliminonte politikisht Allaqin.
“Jo, absolutisht. Kjo fare nuk qëndron sepse pak kush e ka menduar që liria do të vijë kaq shpejt. Atëherë është diskutuar. Ka pasë mospajtime për rrugën”, është shprehur Brajshori.
Edhe Bexhet Kelmendi, një tjetër emër i lidhur me LPK-në, ka mohuar se mes Thaçit dhe Allaqit kishte pasur konflikt.
“Është detyrim moral, shpirtëror dhe atdhetar se s’ka pasë as më të voglin konflikt. As më të voglin konflikt”, ka deklaruar Kelmendi në “Debat Plus”.
Ndërsa disa ditë më herët, edhe Ali Ahmeti kishte dhënë një deklaratë në të njëjtën linjë.
Ahmeti ka mohuar se në Kollare të Kërçovës kishte pasur përplasje mes Thaçit dhe Allaqit.
“Në Kollare nuk ka pasur asnjë përplasje në mes Hashim Thaçit dhe Beadin Allaqit. Pjesëmarrja e Hashim Thaçit në Kollare, ai ka qenë njëri nga pjesëmarrësit më të rinj në atë takim dhe nuk ka pasur fare debat midis Thaçit dhe Allaqit”, ka deklaruar Ahmeti.
Ahmeti ka thënë gjithashtu se kishte dhënë deklaratë pranë Prokurorisë së Specializuar dhe se kishte kërkuar që ajo të publikohej. Sipas tij, i ishte premtuar se deklarata do të bëhej publike pas përfundimit të hetimeve.
Aktgjykimi i 16 shtatorit trajton edhe zhdukjen dhe vrasjen e Allaqit në vitin 1998, për të cilën Trupi Gjykues ka paraqitur gjetjet e veta në lidhje me përgjegjësinë e të akuzuarve.



