Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kritikoi ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e akuzuar se zgjidhja e kësaj çështjeje po shtyhet përmes konsultimeve dhe takimeve të reja, transmeton Portalb.mk.
Reagimi i BDI-së vjen pasi Shasivari ka paralajmëruar se në pjesën e parë të tetorit do të zhvillojë takim me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike, ku do të prezantohet zgjidhja e propozuar për mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës.
Sipas BDI-së, ndërsa vazhdojnë konsultimet dhe paralajmërimet për zgjidhjen e çështjes, 52 kandidatë do t’i nënshtrohen sesionit të tetorit në gjuhën maqedonase, mes tyre edhe 12 kandidatë shqiptarë.
“Kjo nuk është zgjidhje. Është prolongim”, thuhet në reagimin e BDI-së, e cila kërkon që provimi i jurisprudencës të mund të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Nga BDI rikujtojnë se Shasivari, para se të emërohej ministër, në cilësinë e profesorit kishte kritikuar ministrin e atëhershëm të Drejtësisë lidhur me pamundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Shasivari, dikur si profesor, kritikonte ministrin e atëhershëm të Drejtësisë për pamundësimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sot, si ministër, në vend që ta zgjidhë këtë çështje, kërkon edhe më shumë kohë, takime dhe konsultime. E njëjta skemë po përsëritet sikur i kemi parë e dëgjuar eksponentët tjerë të VLEN-it: premtime kur janë në opozitë, ndërsa shtyrje dhe arsyetime kur janë në pushte”, thonë nga BDI.
Partia pyet pse kandidatët shqiptarë duhet ta japin provimin në maqedonisht edhe në sesionin e tetorit, nëse zgjidhja për zhvillimin e tij në shqip është, siç është paralajmëruar, drejt realizimit.
BDI kërkon që çështja të zgjidhet pa shtyrje të mëtejshme, duke theksuar se studentët shqiptarë, sipas saj,, por për një zgjidhje që do të zbatohet.
Alsat dje raportoi se 52 kandidatë kanë paguar nga 150 euro për dhënien e jurisprudencës në sesionin e tetorit dhe së shpejti do tu nënshtrohen testimeve. 12 prej tyre janë shqiptarë.
Në shtator, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, paralajmëroi takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanët e fakulteteve juridike, ku do të prezantohet dhe demonstrohet praktikisht zgjidhja e propozuar për provimin e jurisprudencës. Takimi, sipas Shasivarit, pritet të zhvillohet në pjesën e parë të tetorit, pasi të nisë viti i ri akademik. Ai tha se përmes dialogut dhe bashkëpunimit me asociacionet studentore synohet që studentëve t’u shpjegohet konkretisht se si do të funksionojë zgjidhja.
Zgjidhja për provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe është shtyrë disa herë. Çështja vazhdon të zvarritet në labirintet institucionale të vendit. Partia në pushtet ka shtyrë vazhdimisht afatet për zgjidhjen e çështjes së provimit të Jurisprudencës.
Së pari, zëvendëskryeministri Bekim Sali, premtoi se çështja do të zgjidhej brenda një jave, më pas afati u shty për në shtator, ku Sali tha se në shtator do ta kemi ligjin e miratuar me ndryshimet e nevojshme, ndërsa sot ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se në pjesën e parë të tetorit do t’i ftojë studentët për t’ua prezantuar zgjidhjen e provimit të Jurisprudencës.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.



