Sigurohet terapi modulatore për 126 pacientë me fibrozë cistike. Nga tre trajtime që u nisën më 2021, deri dje me këtë terapi moderne trajtoheshin vetëm disa pacientë. Por, nga sot janë 126 raste klinike, duke përfshirë pacientë me këtë sëmundje të rrallë nga mosha dy vjeç e lart. Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski tha se këtu përfshihen edhe pacientë me mutacione të ndryshme gjenetike, të cilët sipas tij, nuk janë trajtuar më parë.
“Progresi nuk është vetëm në terapi, progresi është edhe në ekspertizën e trajtimit. Jemi veçanërisht mirënjohës ndaj Klinikës Universitare për sëmundjet respiratore te fëmijët “Kozle” dhe Klinikës së Pediatrisë, për përpjekjen intensive dhe përmes programit të trajnimit me Spitalin e Kembrixhit për të futur praktikat më të mira në trajtimin e pacientëve me fibrozë cistike”, tha Sasho Klekovski.
Klekovski tha se kanë bërë përparime me një grup tjetër, pacientët me sklerozë multiple, ku nuk ka më lista të pritjes dhe se qëllimi i autoriteteve pritet të jetë që kudo që ka prova të rezultateve të trajtimit, të mos ketë lista pritjeje, sepse këto janë trajtime që ndryshojnë jetën.
“Pacientët me fibrozë cistike u konsideruan pacientë të vështirë që kërkonin shumë ditë kurimi dhe shumë shtrime në spital. Falënderoj mjekët që nuk e refuzuan këtë sfidë, që u morën me përkushtim dhe që së bashku kemi arritur këtë nivel mbrojtjeje dhe kujdesi për pacientët me fibrozë cistike”, deklaroi Klekovski.
Në Bullgari, pacientët e rritur ende menaxhohen nga një pulmonolog pediatrik, por me shtimin e numrit të pacientëve të rritur pritet që në vitin 2028 të futet edhe një ilaçi i ri për fibrozën cistike në Maqedoni. Është “Alyftrek”, i cili aktualisht është në proces regjistrimi në Agjencinë e barnave. Në Maqedoni, ka një numër jashtëzakonisht të madh pacientësh me mutacione të shumëfishta, mjekët thonë se janë 10% e numrit të përgjithshëm, tek të cilët ilaçi “Trikafta” nuk është plotësisht efektiv, ndërsa “Alyftrek” po.



