George dhe Amal Clooney kanë festuar 12-vjetorin e martesës dhe, pas më shumë se një dekade së bashku, një marrëveshje që çifti bëri që në fillim të lidhjes së tyre po rikthehet në vëmendje.
Aktori dhe avokatja e të drejtave të njeriut u martuan në Venecia në shtator të vitit 2014. Tre vjet më vonë, ata u bënë prindër të binjakëve Alexander dhe Ella.

Pavarësisht angazhimeve të shumta profesionale dhe udhëtimeve të vazhdueshme, çifti vendosi që puna të mos i mbante larg njëri-tjetrit për periudha të gjata.
Në një intervistë të vitit 2015, George zbuloi se kishin vendosur një rregull të thjeshtë: të mos qëndronin kurrë më shumë se një javë larg njëri-tjetrit.
Ne thjesht duhej të binim dakord për oraret tona. Marrëveshja jonë është që nuk mund të jemi larg njëri-tjetrit për më shumë se një javë. Deri tani, ka funksionuar mjaft mirë
-kishte treguar aktori.

Për çiftin, koordinimi i orareve ka qenë veçanërisht i rëndësishëm duke pasur parasysh karrierat e tyre. George vijon të angazhohet në projekte filmike, ndërsa Amal ka një karrierë intensive si avokate dhe aktiviste për të drejtat e njeriut.
Me kalimin e viteve, të dy kanë folur shpesh për mënyrën se si përpiqen të ruajnë një ekuilibër mes jetës profesionale dhe asaj familjare.

Privatësia është një tjetër aspekt që çifti e konsideron të rëndësishëm. Amal ka treguar se, sidomos pasi u bënë prindër, ata janë përpjekur t’i mbajnë fëmijët larg vëmendjes publike. Çifti nuk ka publikuar fotografi të binjakëve në rrjetet sociale.

Amal ka treguar gjithashtu se në shtëpinë e tyre përdorin një mënyrë të veçantë për të shmangur shpërqendrimet gjatë takimeve me miqtë: një shportë ku të ftuarit mund të lënë telefonat e tyre.
Është e rëndësishme të gjesh një ekuilibër ku të kesh kohë vetëm me familjen dhe miqtë, ku njerëzit ndihen të sigurt dhe mund të flasin hapur
-është shprehur ajo.

Ndërkohë, George ka folur edhe për marrëdhënien e tyre në intervista të tjera, duke thënë se nuk kanë pasur konflikte të mëdha dhe se sot është më pak i prirur të përpiqet të “fitojë” çdo debat. Ai ka theksuar se martesa e tij me Amal e ka ndryshuar mënyrën se si e sheh jetën dhe familjen.

Pas 12 vitesh martesë, George dhe Amal vazhdojnë të shfaqen së bashku në evente publike, ndërsa ruajnë një pjesë të madhe të jetës familjare larg kamerave.


