Pas disa sezonesh ku bob-i dominonte pothuajse çdo listë tendencash, vjeshta 2026 po sjell një alternativë për ata që duan ndryshim pa sakrifikuar shumë gjatësinë e flokëve. “Clavi-cut”, një prerje që përfundon afërsisht në nivelin e klavikulës, po shfaqet gjithnjë e më shumë në look-et e personazheve të njohur dhe në parashikimet e hairstylist-ëve për sezonin e ri. Gjatësia e ndërmjetme po fiton pikërisht sepse kombinon freskinë e një prerjeje të shkurtër me fleksibilitetin e flokëve më të gjatë.
Vogue e evidentoi trendin këtë fundjavë në përmbledhjen e look-eve më të mira të javës, duke veçuar Lady Gaga-n me një prerje në nivelin e klavikulës. Në të njëjtën përzgjedhje shfaqet edhe një bob i drejtë dhe elegant, ndërsa make-up-i i ditëve të fundit të verës dominohet nga pastelët, highlighter-i dhe tonet e ngrohta të blush-it. Sinjali është i qartë: ndërsa ngjyrat e make-up-it ruajnë ende diçka nga vera, flokët po fillojnë të marrin formën e sezonit të ri.
Clavi-cut nuk është një prerje radikale. Pikërisht këtu qëndron një pjesë e suksesit të saj. Flokët janë mjaftueshëm të shkurtër për të krijuar një ndryshim të dukshëm, por vazhdojnë të jenë aq të gjatë sa të lidhen, të stilohen me onde apo të mbahen krejtësisht të drejtë. Për dikë që ka flokë të gjatë dhe nuk është gati për një bob deri te nofulla, gjatësia te klavikula krijon një kompromis shumë më të lehtë.
Edhe parashikimet e tjera për vjeshtën tregojnë se prerjet e ndërmjetme do të kenë një sezon të fortë. Southern Living ka përfshirë bob-et, lob-et dhe balluket mes drejtimeve kryesore të flokëve për vjeshtën 2026, duke konfirmuar se industria po largohet gradualisht nga ideja se vetëm një siluetë duhet të dominojë sezonin.
Ka edhe një arsye praktike pse kjo gjatësi funksionon kaq mirë në periudhën shtator-tetor. Pas verës, ekspozimi në diell, det, klor dhe temperatura të larta mund t’i lërë majat e flokëve më të thata. Prerja e disa centimetrave është një nga mënyrat më të thjeshta për të rifreskuar pamjen pa bërë një transformim ekstrem. Në të njëjtën kohë, gjatësia e re funksionon shumë mirë me xhaketat, palltot dhe jakat e larta që rikthehen në garderobë gjatë muajve të ftohtë.


