Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Tetë vite. Ka njerëz që në kaq kohë kanë mbaruar universitetin, janë martuar, kanë fëmijë… ndërsa stafi i rezervimeve të Tesla Roadster gjithë këtë kohë, vazhdonte me premtimin: “Do dale muajin tjetër.” Epo, duket se ai muaj më në fund erdhi.
Tesla ka njoftuar se më 1 tetor do të prezantojë gjeneratën e dytë të Roadster. Po flasim për makinën që u prezantua për herë të parë në vitin 2017 dhe që është shtyrë aq shumë deri sa te prodhohej, sa disa filluan të besonin se ishte thjesht një legjendë urbane.
Por prit… kjo nuk është një makinë e zakonshme. Elon Musk ka premtuar se versioni më ekstrem do të ketë teknologji të zhvilluar bashkë me SpaceX, madje me raketa të vogla me gaz që, sipas tij, mund ta bëjnë makinën të “fluturojë” në një farë mënyre. Sepse normalisht, kur një makinë i bën 0 në 100 shumë shpejt, hapi tjetër logjik është… të mos ecë më në tokë.
Pyetja e madhe tani është: a do të jetë më e shpejtë se Rimac Nevera? Sepse Nevera aktualisht është një nga makinat elektrike më të frikshme në planet dhe nuk e dorëzon kurorën kaq lehtë.
Për momentin kemi vetëm premtime. As shpejtësia përfundimtare, as koha reale 0-100 nuk janë konfirmuar. Dhe duke njohur historinë e Roadster-it, shumë njerëz po festojnë në zemër, ndërsa mbajne syrin nga kalendari.
Gjithsesi, pas tetë vitesh pritjeje, vetëm fakti që do e shohim me në fund, është lajm. Tani mbetet të zbulojmë nëse Tesla do të prezantojë makinën elektrike më të shpejtë në botë… apo thjesht vonesën më të shpejtë në histori.


