Zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, i cili është pjesë e delegacionit qeveritar maqedonas në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në një bisedë për MIA-n foli për pritshmëritë nga strategjia e re për zgjerimin e Bashkimit Evropian, si dhe për dialogun me Bullgarinë.
Sali konfirmoi se pritet zyrtarizimi i strategjisë së zgjerimit, në përputhje me propozimet e Francës dhe Gjermanisë për integrimin gradual të vendeve kandidate, të cilën e konsideron një hap pozitiv.
“Ky dokument ende është një non-paper, por është propozuar dhe mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Natyrisht, gjatë kësaj periudhe ka qenë temë diskutimi edhe mes vendeve të tjera anëtare të BE-së, para se të publikohej si dokument zyrtar. Ne e konsiderojmë si një dokument me qëllim të mirë dhe që synon mbështetjen e të gjitha vendeve aspirante për anëtarësim në BE. Pres që ky dokument të miratohet, nëse nuk ndryshon strategjia për zyrtarizimin e tij, dhe se do të luajë një rol të rëndësishëm në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Të gjitha vendet anëtare dhe vendet kandidate, në komunikimet që kemi pasur deri tani, e shohin pozitivisht këtë dokument”, deklaroi Sali.
Zëvendëskryeministri mbështet edhe iniciativën e kryeministrit Hristijan Mickoski për përfshirjen e një pale të tretë në bisedimet me Bullgarinë.
“Komunikimi me Sofjen në këtë periudhë mungon, por në një moment ai duhet të zhvillohet me praninë e një lideri të një vendi anëtar ose të zyrtarëve të Komisionit Evropian apo të Këshillit Evropian. Konsiderojmë se këto komunikime duhet të jenë të besueshme dhe, natyrisht, të konfirmuara nga një palë e tretë, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë e këtyre komunikimeve dhe kontakteve. Do të ishte e mirëpritur nëse ato do të mbështeteshin me praninë e një pale të tretë”, tha Sali.
Zëvendëskryeministri theksoi se gjatë takimeve në Nju Jork pala maqedonase ka zhvilluar takime me disa liderë shtetesh nga mbarë bota, ku ka prezantuar prioritetet e vendit dhe përkushtimin për anëtarësimin në NATO, forcimin e kontakteve dhe bashkëpunimit me SHBA-në, si dhe integrimin e plotë evropian.
“Si shtet, edhe një herë konfirmojmë të gjithë hapat që ndërmarrim drejt anëtarësimit të plotë, përparimin në agjendën e reformave në kuadër të Planit të Rritjes dhe udhërrëfyesve që kemi miratuar për sundimin e ligjit, për administrim të drejtë të administratës publike dhe, natyrisht, planin e veprimit për pakicat”, deklaroi Sali në bisedën për MIA-n në Nju Jork.


