Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se Teherani i ka paraqitur Shteteve të Bashkuara një plan për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Dokumenti përfshin kushtet për të cilat të dyja vendet ranë dakord në një memorandum mirëkuptimi të arritur në qershor.
Ne i kemi paraqitur një plan SHBA-ve përmes ndërmjetësve. Nëse plotësohen disa kushte, Ngushtica e Hormuzit hapet në fund të ditës së shtatë dhe bisedimet do të rifillojnë, u tha Araqchi gazetarëve, gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Kryediplomati i Teheranit nuk dha detaje të tjera. CNN citoi një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë që tha se dy palët po zhvillojnë “diskutime pozitive dhe konstruktive përmes ndërmjetësve”.
Dy palët duket se vazhdojnë të jenë shumë larg një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës së tyre gati shtatëmujore, pavarësisht një raundi të ri të diplomacisë.
Palët zhvilluan më 23 shtator bisedimet e para indirekte pas disa muajsh, por Irani dhe Amerika nuk u njoftua publikisht për ndonjë koncesion nga palët.
Gjatë fjalimeve në OKB, presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu iranian, Masud Pezeshkian, shkëmbyen deklarata të ashpra.
Trump kërcënoi se do ta “asgjësonte” Iranin nëse nuk arrihej marrëveshje. Pezeshkiani i tha OKB-së se Irani nuk do të “nënshtrohet” nën presion.
Megjithatë, të dy udhëheqësit deklaruan se mbeten të hapur për negociata.


