Ka nisur mbledhja e parë e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës në kuadër të legjislaturës së 11-të, ku pritet të përcaktohet edhe seanca e parë plenare e kësaj legjislature, pas asaj për votimin e kabinetit qeveritar.
Në këtë mbledhje, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se do të kërkohet procedimi në Kuvend i nismës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Hamza ka thënë se kërkesa do të paraqitet në mbledhjen e sotme të Kryesisë, derisa ka theksuar se PDK-ja e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Procedimi i ligjit, konstituimi i komisioneve funksionale… Ne sot do të kërkojmë që ligji të procedohet. Normalisht, ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe normalisht që vendimi i Kushtetues është i qartë. Ne kemi kërkuar përkrahje dhe presim që të vendoset në procedurë”, ka thënë Hamza.
Në rend dite në këtë mbledhje do të jetë propozimi për formimin e komisioneve parlamentare, shqyrtimi i Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2025, si dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kryesisë.
Gjykata Kushtetuese, të mërkurën doli me një vendim pas kërkesës së PDK-së, se Kuvendi është konstituuar pas afatit.
Kuvendi ishte shpallur i konstituuar më 13 shtator, pas zgjedhjes së nënkryetarëve. Pozita e nënkryetarit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës kishte mbetur e paplotësuar.
Albulena Haxhiu ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit më 9 shtator, me 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që konstituimi i Kuvendit është bërë pas afatit kushtetues, por ka kërkuar që të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarit të dytë. Kalimi i këtij afati, ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, në rastin kur posti është vakant, si dhe për formimin e Qeverisë.
Gjithashtu, Gjykata ka njoftuar se afati për zgjedhjen e presidentit skadon më 6 tetor, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje në mes të nëntorit.


