Qindra protestues, mes tyre aktorë dhe politikanë të njohur, u mblodhën pranë selisë së Kombeve të Bashkuara në New York, duke kërkuar arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ndodhej në qytet për të mbajtur një fjalim.
Protesta, e organizuar nga grupe socialiste së bashku me organizatën “Zëri Hebraik për Paqe”, nisi rreth mesditës dhe bllokoi trafikun pranë selisë së OKB-së. Protestuesit kundërshtuan luftën në Gaza dhe konfliktin e vazhdueshëm me Iranin.
Në përfundim të protestës, dhjetëra persona u arrestuan nga policia. Mes tyre ishte edhe aktorja Susan Sarandon, e cila ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e saj për palestinezët.
Në mesin e të arrestuarve ishin gjithashtu aktoret Cynthia Nixon dhe Hannah Einbinder, si dhe kandidatja për në Kongres në New York, Darialisa Avila Chevalier.
Arrestimet nisën më pak se një orë pas fillimit të protestës, pasi policia ndërhyri për të liruar rrugën. Teksa u viheshin prangat, protestuesit brohorisnin: “Netanyahu, nuk mund të fshihesh! Të akuzojmë për gjenocid!”
Sarandon ka deklaruar më herët se qëndrimi i saj pro-palestinez i ka kushtuar edhe profesionalisht. Gjatë Festivalit të Filmit në Venecia, aktorja tha se po humbte oferta për role për shkak të qëndrimeve të saj.
Prania e Netanyahut në New York ka shkaktuar reagime të forta edhe në mesin e politikanëve. Kryetari i bashkisë së qytetit, Zohran Mamdani, ka kërkuar më herët arrestimin e kryeministrit izraelit dhe e ka cilësuar atë si “kriminel lufte”, në lidhje me veprimet e qeverisë së tij në Gaza.
Mamdani ka pranuar më vonë se nuk ka autoritetin për të urdhëruar policinë e New York-ut të arrestojë Netanyahun, duke iu referuar edhe faktit se Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, si dhe pengesave të tjera ligjore.


