Në Haraçinë ka nisur një kapitull i ri për klubin e futbollit Shkëndija, me vendosjen e gurthemelit të qendrës së re sportive. Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, e ka cilësuar këtë moment si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit dhe krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë e komunës.
“50 vite histori. Sot nis një kapitull i ri. Po ndërtojmë stadiumin e Shkëndisë së Haraçinës!”, ka deklaruar Beqiri.

Sipas tij, për gjysmë shekulli Shkëndija e Haraçinës ka qenë më shumë se një klub futbolli, duke përfaqësuar krenarinë dhe pasionin e komunitetit, si dhe duke shërbyer si vend ku janë rritur breza futbollistësh.
“Haraçina gjithmonë ka pasur talentë dhe dashuri për futbollin. Ajo që ka munguar ka qenë infrastruktura që kjo traditë e meriton”, është shprehur kryetari i Haraçinës.

Beqiri tha se me vendosjen e gurthemelit të qendrës sportive po hidhen themelet e një të ardhmeje të re për sportin në komunë.
“Ky stadium do të jetë vendi ku do të stërvitet ekipi i Shkëndijës, ku do të krijohen kushtet për zhvillimin e ndeshjeve dhe ku fëmijët e të rinjtë e Haraçinës do të kenë hapësirën e tyre për të ëndërruar, garuar dhe ndërtuar të ardhmen”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Haraçinës theksoi se projekti i qendrës sportive përbën vetëm fillimin, ndërsa synimi është që Shkëndija të ketë edhe stadiumin e saj kryesor.
“Shkëndija e Haraçinës meriton stadiumin e saj kryesor, një stadium që do t’i përgjigjet historisë, traditës dhe ambicies së klubit”, deklaroi Beqiri.
Ai e lidhi projektin me 50-vjetorin e historisë së klubit, duke e cilësuar investimin si një mënyrë për të krijuar një trashëgimi të re për brezat e ardhshëm.
“Pas 50 vitesh, nuk po flasim vetëm për kujtime. Po ndërtojmë trashëgiminë e 50 viteve të ardhshme”, tha Beqiri.
Në fund, ai e përshkroi gurthemelin si një simbol të një periudhe të re për Haraçinën dhe Shkëndijën.
“Sot vendosëm gurin e parë. Nesër këtu do të shkruhen histori të reja. Për Shkëndijen. Për Haraçinën. Për brezat që vijnë”, përfundoi kryetari Daut Beqiri.


