Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka theksuar nevojën për avancimin e barazisë gjinore në politikë dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për pjesëmarrjen e grave në jetën publike.
Gashi këto qëndrime i bëri të ditura në tryezën e rrumbullakët me temë „Avancimi i barazisë gjinore dhe lufta kundër dhunës digjitale ndaj grave në politikë në Maqedoninë e Veriut“, e cila u mbajt në Kuvend.
“Barazia gjinore në politikë nuk është çështje që u përket vetëm grave; ajo është çështje e cilësisë, legjitimitetit dhe përfaqësimit të demokracisë sonë”, deklaroi Gashi.
Sipas tij, përparimi në përfaqësimin e grave duhet të shoqërohet me krijimin e kushteve që ato të mund të marrin pjesë lirshëm dhe në mënyrë të barabartë në jetën publike dhe politike.
“Përparimi i arritur në përfaqësimin e grave duhet të shoqërohet edhe me krijimin e një mjedisi të sigurt, në të cilin ato do të mund të marrin pjesë lirshëm dhe në mënyrë të barabartë në jetën publike dhe politike”, theksoi kryeparlamentari.
Gashi u ndal edhe te sfidat me të cilat përballen gratë në hapësirën digjitale, duke përmendur dhunën digjitale, seksizmin, ngacmimin dhe dezinformatat.
“Dhuna digjitale, seksizmi, ngacmimi dhe dezinformatat kërkojnë një përgjigje serioze dhe të përbashkët”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit shtoi se institucioni ligjvënës do të vazhdojë të kontribuojë në avancimin e barazisë gjinore dhe në krijimin e një hapësire politike të bazuar në dinjitet, respekt dhe mundësi të barabarta.
“Kuvendi do të vazhdojë të kontribuojë në avancimin e barazisë gjinore dhe në krijimin e një hapësire politike të bazuar në dinjitet, respekt dhe mundësi të barabarta për të gjithë”, përfundoi Gashi.


