Partia Demokratike e Kosovës, e përfaqësuar nga kryetari i Grupit Parlamentar, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu, kanë deponuar lënd në Gjykatën Kushtetuse, për konstituimin e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Avokati Fetahu, para mediave tha sot në Kushtetuese kanë ngritu tri çështje sipas tij që janë fundamentale.
“Sot ngritëm në Gjykatën Kushtetuese tri çështje fundamentale. Në thelbin e kërkesës që parashtruam sot janë tri çështje të cilat e përbëjnë objektin e kësaj kërkese. E para: vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. E dyta: vendimi procedural për të ndryshuar mënyrën e votimit për sa i përket nënkryetarëve të Kuvendit, ngaqë deri më tani, sipas arkivit të Gjykatës Kushtetuese. Dhe e treta: ngritëm çështjen e konstatimit jo kushtetues mbi konstituimin e Kuvendit pa një anëtar të kryesisë nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar. Këto janë tri çështje të cilat i kemi arsyetuar pranë kësaj gjykate. E para, në lidhje me, siç e tha edhe Përparimi edhe kryetari i grupit, në lidhje me dështimin që Kuvendi të konstituohet me afatin 30-ditor, përkatësisht zgjedhja e kryetarit të Kuvendit në shkelje të këtij afati. Së dyti: mosmbajtja e seancave konstituive, apo mbështetja e përpjekjeve që brenda këtij afati kushtetues të mbahen seancat siç i përcakton Kushtetuta, rregullorja e punës së Kuvendit dhe gjykimet e Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht çdo 48 orë. Për sa i përket shkeljeve të evidentuara nga ana jonë, ose të pretenduara nga ana jonë, në lidhje me çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të kryesisë, përkatësisht konstatimit se Kuvendi është konstituar, ne konsiderojmë që Kuvendi nuk është konstituar, sepse këtë e thotë edhe Kushtetuta, edhe rregullorja e punës së Kuvendit, edhe arkivet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.
Sipas tij, fakti që PDK-ja nuk ka marrë pjesë në seancën ku është bërë zgjedhja e anëtarëve të kryesisë, nuk nënkupton se ky është refuzim për të parashtruar kandidaturën e saj, por duhet parë në tërësinë e veprimeve të saj.
“PDK, përkatësisht grupi parlamentar i PDK-së, asnjëherë nuk ka hequr dorë nga e drejta për ta propozuar këtë, dhe fakti që nuk ka marrë pjesë në seancën ku është bërë zgjedhja e anëtarëve të kryesisë, nuk nënkupton se ky është refuzim për të parashtruar kandidaturën e saj, por duhet parë në tërësinë e veprimeve të saj. Grupi parlamentar i PDK-së, nga pikëpamja juridike, ka parashtruar në mënyrë të vazhdueshme kërkesa në Kuvendin e Kosovës që seanca të mbahet, dhe këtë e ka bërë gjatë gjithë periudhës sa nuk ka pasur asnjë tentativë për mbajtjen e seancës konstituive. Kështu që, parë në tërësi, mozaiku i të gjitha zhvillimeve, refuzim nuk mund të konsiderohet mosparaqitja fizike e deputetëve tanë në sallën e Kuvendit, sepse të njëjtët kanë paraprakisht paralajmëruar se, për qëllimet e sqarimit dhe parashtrimit në Gjykatën Kushtetuese, do të përmbahen nga dhënia e propozimit të tyre, një e drejtë ekskluzive kjo kushtetuese. Prandaj, Kushtetuta nuk është, ose nuk vlerësohet nga sa çfarë shkruan në tekstin e saj, por se si i mbijeton shkeljeve që e njëjta i përjeton”, ka shtuar Fetahu.
“Kështu që ne besojmë që ky rast do të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese me shkelje kushtetuese. Kjo kërkesë do të shpallet e pranueshme, dhe mbi të gjitha, është nevojë e domosdoshme, për shkak të evitimit të dëmeve të pariparueshme dhe për shkak të respektimit të interesit publik, të vendoset sa më parë masa e përkohshme. Vendosja e kësaj mase të përkohshme bazohet edhe në vetë praktikën e kësaj gjykate, të cilën e ka ndjekur deri në vitet që shkoi. Sa herë ka pasur raste të konstituimit pranë kësaj gjykate, gjithëherë Gjykata Kushtetuese ka vendosur masa të përkohshme. Njëjtë presim edhe kësaj radhe, në mënyrë që të evitohen pasojat e pariparueshme, siç ka ndodhur dje, me pasojën”, tha ndër të tjera ai.



