Një studim i ri tregon se Inteligjenca Artificiale (AI) mund të nxjerrë shumë më tepër informacion nga analizat rutinë të gjumit se metodat tradicionale, duke ndihmuar në parashikimin e rrezikut për sëmundje serioze e madje edhe vdekshmërinë.
Të njohura si polisomnografi, zakonisht përdoren për të diagnostikuar apnenë obstruktive të gjumit, një çrregullim ku muskujt e fytit relaksohen gjatë gjumit dhe bllokojnë në mënyrë të përsëritur rrugët e frymëmarrjes.
Gjatë këtyre ekzaminimeve regjistrohen frymëmarrja, aktiviteti i trurit, lëvizjet e muskujve, ritmi i zemrës e të tjerë parametra fiziologjikë, por në praktikë mjekët fokusohen kryesisht te indeksi apnea-hipopnea (AHI), që mat numrin mesatar të ndërprerjeve ose dobësimeve të frymëmarrjes për orë.
Në studimin e publikuar në revistën “Nature”, studiuesit përdorën Inteligjencën Artificiale për të analizuar mbi 10 mijë studime të plota të gjumit.
Algoritmet kërkuan modele të fshehura në të dhënat fiziologjike dhe i krahasuan ato me historikun mjekësor afatgjatë të pacientëve.
Rezultatet treguan se AI identifikoi pesë nëngrupe të ndryshme pacientësh, secili me profile të veçanta rreziku për sëmundje.
Personat që bënin pjesë në grupin me rrezikun më të lartë kishin dyfish më shumë gjasa të humbnin jetën brenda pesë viteve, krahasuar me ata në grupin me rrezikun më të ulët, një dallim që nuk evidentohej nga indeksi tradicional AHI.
Po ashtu, grupi me rrezikun më të lartë kishte 65% më shumë gjasa për zhvillimin e insuficiencës kardiake, 84% më shumë rrezik për infarkt të miokardit, 93% më tepër për dëmtime njohëse të funksioneve të trurit, si dhe mbi 200% më shumë rrezik për fibrilacion atrial dhe epilepsi.
Një tjetër zbulim i rëndësishëm ishte se modeli i IA -s parashikoi me saktësi rezultatet shëndetësore si te burrat ashtu edhe te gratë.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi indeksi apnea-hipopnea ka qenë historikisht më i besueshëm te meshkujt se te femrat.
Drejtuesja e studimit, Dr. Reena Mehra nga Universiteti i Uashingtonit, theksoi se për dekada me radhë analizat e gjumit janë reduktuar në vetëm disa tregues kryesorë.
Inteligjenca Artificiale ofron mundësinë për të shfrytëzuar të gjithë informacionin që përmbajnë këto ekzaminime, duke zbuluar modele të padukshme deri më tani dhe ndihmuar mjekët të parashikojnë më herët rreziqet për sëmundje të zemrës, çrregullime neurologjike e të tjera probleme serioze shëndetësore.


