Një rishikim i ri i publikuar në revistën “Journal of Nutrition, Health and Aging”, analizon të dhënat shkencore mbi ndikimin e kosit në shëndetin e njeriut.
Përfshirja e rregullt e kosit në dietë lidhet me përmirësimin e shëndetit metabolik, uljen e rrezikut për diabetin e tipit 2 dhe ndihmon në ruajtjen e një përbërjeje të shëndetshme trupore.
Bakteret e acidit laktik që gjenden në kos mund të ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të florës së zorrëve dhe të nxisin prodhimin e acideve yndyrore me zinxhir të shkurtër.
Këto përbërje mund të ndikojnë në inflamacionin kronik të nivelit të ulët, i lidhur me obezitetin dhe rezistencën ndaj insulinës.
Mund të ndikojë edhe në kolesterol e tensionin e gjakut
Kosi probiotik mund të ulë kolesterolin total dhe LDL-në te personat me hiperkolesterolemi të lehtë ose të moderuar.
Studime të mëdha vëzhguese sugjerojnë se personat që konsumojnë rregullisht kos priren të kenë shëndet më të mirë kardiovaskular.
Disa prova në Amerikë treguan se konsumimi i kosit të paktën pesë herë në javë lidhet me një rrezik 16% më të ulët për hipertension. Te personat me hipertension, konsumimi i kosit të paktën dy herë në javë është lidhur me një rrezik 17% më të ulët për sëmundje kardiovaskulare te gratë dhe 21% te burrat.
Kos i plotë apo me pak yndyrë?
Studimet e analizuara nuk tregojnë se kosi i plotë lidhet me rritje të masës dhjamore apo përkeqësim të treguesve metabolikë. Ky fenomen njihet si “paradoksi i produkteve të qumështit të plota”.
Sipas studiuesve, yndyrat e ngopura që gjenden në kos nuk duket se veprojnë në të njëjtën mënyrë si ato të izoluara apo që vijnë nga ushqimet ultra të përpunuara.


