Megan Thee Stallion ka folur hapur për fundin e marrëdhënies së saj me yllin e NBA-së, Klay Thompson, duke e përshkruar ndarjen si një periudhë të vështirë, por edhe si një mundësi për të rizbuluar veten.
Në një intervistë të fundit, reperja tha se ndarja nuk ishte e lehtë dhe se për një kohë të gjatë ishte përpjekur të përshtatej me një jetë që nuk i përkiste plotësisht.
Ajo që është menduar për ty, gjithmonë do të zgjidhet vetvetiu. Nëse diçka vazhdon të të bëjë të ndihesh në siklet, ndoshta nuk duhet të jesh aty
-u shpreh ajo.
Megan pranoi se gjatë lidhjes kishte tentuar të përshtatej me jetën e partnerit, ndërsa gradualisht ndiente se po humbiste një pjesë të vetes. Tani, sipas saj, është në një fazë ku po përpiqet të rikthejë identitetin dhe qetësinë e saj.
Megan dhe Klay Thompson nisën lidhjen në vitin 2025, ndërsa ajo njoftoi përfundimin e marrëdhënies në prill 2026. Në atë kohë, reperja tha se besimi, besnikëria dhe respekti ishin të panegociueshme për të dhe se, kur këto vlera cenohen, nuk sheh më një rrugë përpara.
Ajo ka reflektuar edhe mbi përvojën e tradhtisë, duke thënë se një veprim i tillë nuk duhet të bëjë një person të dyshojë në vlerën e vet.
Dikush që nuk i sheh vlerat e tua nuk do të thotë se vlera jote ulet
-tha Megan, duke shtuar se tradhtia e dikujt tjetër nuk përcakton bukurinë apo karakterin e personit që është lënduar.
Reperja tha se tashmë e di më qartë se çfarë kërkon nga një marrëdhënie e ardhshme. Ajo dëshiron një partner që respekton karrierën, pavarësinë dhe mënyrën e saj të jetesës.
Unë do të kem një partner. Do të jemi të barabartë
-u shpreh ajo, duke theksuar se nuk dëshiron të vendoset në një pozicion dytësor përballë partnerit.
Megan tha gjithashtu se të qenit vetëm nuk e shqetëson më si më parë. Përkundrazi, ajo e përshkroi këtë periudhë si një kohë në të cilën po ndihet më e lirë dhe po rikthehet te vetja.
Të rrish vetëm është okej
-tha ajo, duke reflektuar se sot ndihet më e qetë me veten pas një periudhe të vështirë emocionale.


