Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, përmes një postimi në rrjetet sociale është kthyer 5 vite pas, në kohën kur Lulzim Basha, asokohe kryetar i PD-së, do të merrte vendimin për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, pak ditë pasi ishte shpallur “non grata”.
Në postimin e tij, Bylykbashi shkruan se në atë moment, ai dhe disa kolegë të tjerë demokratë dolën kundër këtij vendimi, duke vënë në rrezik edhe karrierën e tyre, por sot koha u dha të drejtë.
5 vite pasi Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar, Sali Berisha udhëtoi sërish drejt SHBA-së, ku merr pjesë në Konventën e Partisë Republikane amerikane, si kryetar i Partisë Demokratike shqiptare.
Postimi i Bylykbashit:
Pesë vitet e 9 shtatorit
5 vite më parë, Lulzim Basha thirri mbledhjen e turpshme për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, sepse Berisha ishte “non grata” në SHBA. Për turp të Bashës dhe atyre që e nxitën dhe mbështetën, sot, pesë vite më pas, Sali Berisha merr pjesë në Konventën e Partisë Republikane amerikane.
Atë mbrëmje, mes heshtjes së rëndë, pa asnjë koordinim, ishim gjashtë kolegë: unë, bashkë me Albana Vokshin, Luçiano Boçin, Bujar Leskajn, Flamur Nokën e Tritan Shehun, që u çuam dhe e kundërshtuam haptazi dhe ashpër.
E dinim që po bënim një hap që vendoste karrierën në pikëpyetje, por na ruante dinjitetin dhe moralin dhe na bënte të lirë.
Mesazhi im në atë mbledhje, 5 vite më parë, ishte:
“Lulzim Basha, me vendimet personale po vret demokracinë në parti, po shkel statutin që na mban bashkë, po zhduk kolegjialitetin, po përçan lidershipin, bazën dhe grupin parlamentar të partisë dhe po dëmton mundësinë e PD-së për të fituar zgjedhjet. Për këtë do të mbash përgjegjësi.”
Nuk më munguan paralajmërime e kërcënime ndërkombëtarësh në Tiranë. U shkarkuam nga funksionet e u përjashtuam nga grupi parlamentar prej Bashës.
Ajo që erdhi më pas ishin Foltoret dhe Rithemelimi i PD-së, që përfundoi me Kuvendin madhështor të 11 dhjetorit 2021, që miratoi Statutin e PD-së, i cili vendoste kolegjialitetin mbi njëshin.
Pesë vite më pas, 9 shtatori simbolizon tabelën në hyrje të urës, që na tregon ku të çon ajo urë, përtej së cilës demokracia shkëmbehet me autokracinë, kolegjialiteti me unitetin dhe kohezioni me disiplinën.


