Gwyneth Paltrow ka zbuluar arsyen pse marka e saj Goop vendosi të ndërpresë prodhimin e qiriut të famshëm “This Smells Like My Vagina”, i cili u kthye në një fenomen viral pas lançimit në vitin 2020.
Duke folur në podcastin “Friends Keep Secrets”, Paltrow tregoi se ideja për qiriun lindi krejt rastësisht, gjatë punës me drejtorin kreativ Douglas Little për krijimin e një arome “tokësore” për Goop.
Teksa po provonin aroma të ndryshme, përfshirë gjethe domatesh dhe alga deti, Paltrow bëri një koment me shaka për një aromë që, sipas saj, “i ngjante vaginës së saj”.
Little e mori seriozisht komentin dhe e konsideroi idenë interesante, duke krijuar më pas qiriun me emrin “This Smells Like My Vagina”. Paltrow theksoi se produkti, pavarësisht emrit, nuk kishte në të vërtetë aromën e vaginës së saj. Përbërja përfshinte bergamot, geranium, trëndafil damask, dru kedri dhe farë ambrette.
Qiriu, i cili kushtonte 75 dollarë, u kthye shumë shpejt në një sukses të jashtëzakonshëm dhe tërhoqi vëmendje të madhe mediatike.
Por pikërisht popullariteti i tij u bë edhe arsyeja që Goop vendosi ta tërhiqte nga tregu. Paltrow shpjegoi se produkti ishte bërë aq i famshëm sa po e largonte vëmendjen e publikut nga aktiviteti dhe produktet e tjera të kompanisë.
U bë një gjë kaq e madhe saqë duhej të ndalonim së shituri, sepse po i shpërqendronte njerëzit nga ajo që po bënim
-tregoi ajo.
Paltrow ka mbrojtur edhe më parë idenë pas qiriut, duke e përshkruar si një deklaratë kundër turpit që shpesh lidhet me seksualitetin dhe trupin e grave.
Sipas saj, produkti synonte të sfidonte mënyrën se si shumë gra janë rritur duke menduar se diçka është e gabuar ose e turpshme me trupin e tyre. Ajo e ka cilësuar konceptin si një lloj “rebelimi punk-rock” ndaj këtyre tabuve.
Pas suksesit të tij, Goop lançoi edhe produkte të tjera me emra provokues, përfshirë “This Smells Like My Orgasm” dhe “This Smells Like My Prenup”.
Edhe pse qiriu nuk prodhohet më, interesi për të vazhdon. Benny Blanco, bashkëshorti i Selena Gomez, tregoi gjatë podcastit se kishte paguar 600 dollarë për të blerë një të tillë nga një rishitës, ndërsa Paltrow la të hapur mundësinë që produkti të rikthehet një ditë.


