Close Menu
Press OnlinePress Online
  • BALLINA
  • MAQEDONI
  • EKONOMI
  • KOSOVË
  • SHQIPËRI
  • GLOBI
  • OPINIONE
  • SPORT
  • SHOWBIZ
  • LIFESTYLE
  • TEKNOLOGJI
Më të rejat

Sulejmani dhe ambasadori i Kosovës, Qehaja, në manifestimin për Ditën e Alfabetit Shqip në Butel: Gjuha shqipe është një nga vlerat më të çmuara të identitetit tonë

20 Nëntor 2026

Klekovski: Kemi nevojë për një sistem më të organizuar dhe me përgjegjësi të qarta

20 Nëntor 2026

UNICEF: Potenciali i çdo fëmije është më i rëndësishëm se kurrë

20 Nëntor 2026
Press OnlinePress Online
  • IMPRESUM
  • MARKETING
  • KONTAKT
24.2° C Shkup ▼
Facebook Instagram YouTube TikTok
  • BALLINA
  • MAQEDONI
  • EKONOMI
  • KOSOVË
  • SHQIPËRI
  • GLOBI
  • OPINIONE
  • SPORT
  • SHOWBIZ
  • LIFESTYLE
  • TEKNOLOGJI
Press OnlinePress Online

Rama ndan reflektimin për “industrinë e llumit”: Si po ushqehet çdo ditë makineria e zemërimit dhe urrejtjes

Press Online8 Shtator 2026 KOSOVË
Facebook LinkedIn WhatsApp Email Twitter Copy Link

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një tekst të gjatë, për të cilin sqaron se nuk është shkruar prej tij, por se është një nga ato shkrime që do të dëshironte t’i kishte shkruar vetë.

Rama e shoqëron postimin me një koment ironik, duke u bërë thirrje ndjekësve ta lexojnë, ndërsa teksti ngre akuza të forta.

Në tekst kritikohet ashpër ajo që përshkruhet si një “industri llumi”, e ngritur mbi shtrembërimin e fakteve, panikun, zemërimin dhe përdorimin e titujve apo videove të manipuluara për të nxitur reagime dhe për të gjeneruar klikime.

Postimi i Ramës:

RRESHTAT MË POSHTË NUK I KAM SHKRUAR UNË, PO ËSHTË NJË NGA ATO RASTE KUR NJERIU THOTË: AH, SIKUR T’I KISHA SHKRUAR VETË…

Lexojini se do të gjeni shumë fytyra, zëra dhe mashtrime e dyfytyrësira nga jeta e përditshme para pasqyrave teknologjike

Hapësira publike është kthyer në një sistem kanalesh të ujërave të zeza dhe kutërbimi nuk është nën këmbët tona, por po ngrihet nga foltoret, nga titujt dhe nga goja e njerëzve që e dinë se po jashtënxjerrin plehra, në emër të “guximit”.

Kjo është një industri llumi, e ngritur mbi shtrembërimin, poshtërimin, panikun dhe tërbimin, ku njerëzit bosh kanë mësuar se, nëse arrijnë t’i bëjnë qytetarët të urrejnë, askush nuk do ta vërë re se ata vetë nuk kanë asgjë të dobishme për të ofruar. Nuk u duhen zgjidhje kur mund të prodhojnë armiq, as u duhet karakter kur turma është e etur për mizori ndaj shënjestrës njerëzore të radhës.

Ky kanibalizim funksionon sepse shumë njerëz janë përshtatur e rehatur duke jetuar në vorbullën e tij. Ata e dinë se fragmenti i videos është prerë për të mashtruar, se titulli është fabrikuar si armë, se akuza është fryrë, se zemërimi është inskenuar dhe se njeriu që po tërhiqet zvarritet nëpër baltë është një qenie njerëzore e katandisur në një leckë për klikime dhe reagime. E dinë se faktet po spërdridhen për të nxjerrë një ulërimë therëse dhe fundja e dinë fare mirë, se gënjeshtra është gënjeshtër. Ama u pëlqen, thjesht u shijon tërë spektakli që prodhon gënjeshtra.

Një mospajtim nuk lejohet më të mbetet thjesht një mospajtim. Dikush duhet patjetër të jetë i korruptuar, i paaftë, mashtrues, i kapur ose pjesë e ndonjë konspiracioni të hatashëm. Njerëzit marrin një copëz informacioni, i ngjisin përfundimin që u përshtatet bindjeve të tyre, e hedhin në vorbullën e internetit dhe ja ashtu, si me magji, diçka që nuk ka ndodhur kurrë pranohet si fakt.

Zyrtarët dhe nëpunësit publikë trajtohen në mënyra që do të ishin të papranueshme pothuajse kudo e kurdoherë tjetër, a thua se thjesht zgjedhja për t’i shërbyer publikut nënkupton pranimin e një abuzimi pa kufi.Kjo është ajo që duhet t’i neveritë njerëzit. Jo mospajtimi, por oreksi për të parë dikë të keqtrajtohet dhe prapëseprapë për ta shpërndarë gënjeshtrën për të. Oreksi për të parë një fqinj të shndërrohet në armik, sepse kjo të kënaq më shumë sesa të pranosh që bota është ca më e ndërlikuar se sa duket. Dhe më e keqja, lejimi i një frikacaku me kamerë, mikrofon, titull në dorë apo platformë në zotërim, që të fusë dorën në kraharorin tonë, t’u drejtohet instinkteve tona më të këqija dhe të na bindë se ato janë parime.

Shumë njerëz nuk kanë më bindje politike, po kanë vetëm një varësi toksike. U duhet zemërimi i radhës, zuzari i radhës, videoja e radhës dhe justifikimi i radhës për t’u ndjerë më të mirë se të tjerët, pa qenë aspak njerëz më të mirë dhe ndaj ia kanë dorëzuar zhurmës krejt ndërgjegjen e tyre!

Shërbimi publik nuk duhej të kthehej kurrë në një material për thertoren e besimit, në një skenë për ego të papërmbushura apo në karburant për një makineri që i shndërron njerëzit në armiq imagjinarë për disa klikime. Një nënë që lufton të mos i fiken dritat nuk ka nevojë për tërbim teatral. Një veteran që pret kujdesin që i takon nuk ka nevojë për një video të manipuluar. Një mësues që blen me paratë e veta mjetet e shkollës nuk ka nevojë për panik të fabrikuar. Njerëzit që po përpëliten nga kostoja e rritur e jetesës nuk kanë nevojë për frikacakë të radhës që ua shesin urrejtjen si aftësi udhëheqëse.

Dhe ju lutem, ma kurseni predikimin e kujtdo që noton gjithë javën në kanalizimet e qelbura dhe pastaj shfaqet duke kutërbuar nga ambicia personale. Ma kurseni drejtësinë e rreme të njerëzve që i bëjnë qytetarët më të zemëruar, më pak të ndjeshëm e më pak të ndershëm, po edhe më të manipulueshëm, teksa për vete hiqen sikur po i shërbejnë diçkaje më të madhe se uria e tyre e pangijshme për vëmendje.

Nëse politika e tyre ka nevojë për gënjeshtra që të marrë frymë, ajo meriton të mbytet. Nëse lëvizja e tyre ka nevojë t’i zhveshë njerëzit nga njerëzorja për të mbijetuar, ajo e ka vendin në kanalin e ujërave të zeza. Nëse ndikimi i tyre varet nga helmimi i njerëzve kundër njëri-tjetrit, ata nuk janë udhëheqës po vetëm pjesë qorre të këtij sistemi ujërash të zeza.

Në bisht fare, pyetja që mbetet është kjo: Çfarë je i gatshëm të bëhesh për të mposhtur njerëzit që të kanë thënë se duhet t’i urresh?

Nëse je gati të bëhesh gënjeshtar, frikacak, manipulues apo njeri që kënaqet duke parë njerëz të panjohur të zhvishen nga dinjiteti i tyre njerëzor, atëherë nuk e ke mundur kalbëzimin që thua se po lufton. Thjesht, je bërë pjesë e tij.

Brooks Williams, Administrator i Qytetit Ferris, TEXAS, SHBA

Previous ArticleNesër nis sesioni parlamentar, qytetarët njoftojnë protestë përpara Kuvendit
Next Article Pamela Anderson tërheq vëmendjen në Venecia me një paraqitje elegante!

Lajme të ngjashme

Nga Kadareja te festat e Nëntorit, Shqipëria dhe Kosova me kalendar të përbashkët kulturor

20 Nëntor 2026 KOSOVË

Kosova nis rrënime të reja në Ujman, Serbia kundërshton

20 Nëntor 2026 KOSOVË

Lista Studentore synon të rishqyrtojë marrëveshjet me Kosovën, BE thotë se Serbia duhet t’i zbatojë

20 Nëntor 2026 KOSOVË

Kuvendi i Kosovës miraton në parim buxhetin prej 4.27 miliardë eurosh për vitin 2027

20 Nëntor 2026 KOSOVË

Aksion në gjithë Kosovën: Mbyllen 15 lokale ‘muzikë live’ dhe qendra masazhi, prangosen 8 persona

19 Nëntor 2026 KOSOVË

“Më ke bërë shumë padrejtësi e intriga sa ishe gjallë”, mbesa e Qumilit reagon pas ndarjes nga jeta të hallës

19 Nëntor 2026 KOSOVË
Lajmet e fundit

Sulejmani dhe ambasadori i Kosovës, Qehaja, në manifestimin për Ditën e Alfabetit Shqip në Butel: Gjuha shqipe është një nga vlerat më të çmuara të identitetit tonë

Press Online20 Nëntor 2026 MAQEDONI

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, së bashku me Ambasadorin e…

Klekovski: Kemi nevojë për një sistem më të organizuar dhe me përgjegjësi të qarta

Press Online20 Nëntor 2026 MAQEDONI

Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski njoftoi se së bashku me përfaqësuesin e…

UNICEF: Potenciali i çdo fëmije është më i rëndësishëm se kurrë

Press Online20 Nëntor 2026 MAQEDONI

Maqedonia e Veriut po përballet me momentin e vet të vendimmarrjes –…

Pse emocioni e mbyt logjikën?!

Press Online20 Nëntor 2026 OPINIONE

Shkruan: BEN ANDONI Pa nisur ende Asambleja e PS-së dhe, ku askush…

Koronavirusi rikthehet në vëmendje në Maqedoni: Regjistrohen raste të reja, gripi po përhapet me shpejtësi!

Press Online20 Nëntor 2026 MAQEDONI

Tri raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar gjatë javës së kaluar…

© 2018 - 2026 PressOnline.al
  • IMPRESUM
  • MARKETING
  • KONTAKT

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.