Maqedonia sot shënon 35-vjetorin e pavarësisë. Më 8 shtator 1991, qytetarët votuan në referendum për shtetin sovran dhe të pavarur.
Gjatë këtyre 35 viteve, vendi ka kaluar nëpër zhvillime të rëndësishme politike dhe të sigurisë, përfshirë konfliktin e vitit 2001, Marrëveshjen e Prespës dhe anëtarësimin në NATO.
Për sot janë paraparë disa aktivitete për shënimin e përvjetorit. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova do të vendosë lule te varret e ish-presidentëve Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, si dhe te varri i ish-kryeministrit Nikolla Klusev.
Në Villa Vodno do të zhvillohet ceremonia e ndarjes së Urdhrit “8 Shtatori”, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski do të mbajë fjalim në ceremoninë me moton “Fuqishëm ka aguar dita!”, para Qeverisë.
Festimet do të përmbyllen sonte me koncertin e DJ-it dhe producentit të njohur botëror David Guetta në Arenën Kombëtare “Toshe Proeski” në Shkup.
Në kuadër të programit për 35-vjetorin, më 1 shtator në Shkup performoi tenori José Carreras, ndërsa më 4 shtator u mbajt spektakli “Fuqishëm ka aguar dita!”, me pjesëmarrjen e mbi 120 artistëve.


