Ministria e Punëve të Brendshme sot njoftoi se, pas një denoncimi të bërë nga një qytetar, D.C., i punësuar si shofer në Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë së RMV-së, është kapur duke pranuar para të shënuara paraprakisht, pas së cilës është privuar nga liria, përcjell TV21.
“Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë – Njësia për Luftimin e Korrupsionit pranë MPB-së veproi pas një denoncimi të mëparshëm të bërë nga një qytetar, në koordinim me prokurorin publik kompetent. Në kuadër të masave dhe aktiviteteve të ndërmarra, D.C., i punësuar si shofer në SHÇPP pranë Qeverisë së RMV-së, u kap duke pranuar para të shënuara paraprakisht, pas së cilës u privua nga liria”, njoftoi Policia.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, në Prokurorinë Publike kompetente është dorëzuar kallëzimi përkatës.


