Nëse po merr një medikament GLP-1, mund të përjetosh një ndjesi të ngadaltë, të paqartë ose sikur je “me kokën në re”, që shpesh quhet “brain fog” (mjegullim i trurit). Por çfarë është dhe pse ndodh? Edhe pse “brain fog” nuk është i listuar në informacionin zyrtar të përshkrimit të disa GLP-1-ve të njohura, si Wegovydhe Mounjaro, disa efekte anësore neurologjike që mund të lidhen me simptomat e brain fog janë:
- marramendje dhe ndjesi dobësie;
- dhimbje koke;
- lodhje dhe përgjumje;
- konfuzion;
- shikim i turbullt;
- dridhje të trupit.
Meqë medikamentet GLP-1 ulin sheqerin në gjak dhe njerëzit zakonisht hanë më pak gjatë përdorimit të tyre, këto simptoma të “brain fog” mund të lidhen me uljen e tepërt të sheqerit në gjak (hipogliceminë). Mbi 46% e efekteve anësore neurologjike të lidhura me medikamentet GLP-1 fillojnë brenda 30 ditëve nga nisja e trajtimit. Rreziku i hipoglicemisë rritet nëse përdor njëkohësisht insulinë ose medikamente që nxisin pankreasin të prodhojë më shumë insulinë, si sulfonilureat. Hipoglicemia mund të shkaktojë komplikacione të rrezikshme, si të fikët dhe kriza konvulsive.
Një tjetër shkak i “brain fog” gjatë përdorimit të GLP-1 mund të jetë dehidratimi. Këto medikamente mund të ulin jo vetëm urinë, por edhe ndjesinë e etjes. Hidratimi i mjaftueshëm është i rëndësishëm për të ruajtur qartësinë mendore. Nëse përjeton edhe të vjella ose diarre, trupi humbet edhe më shumë lëngje. Kjo mund të ndikojë negativisht në funksionimin e organeve, përfshirë trurin dhe veshkat. Përveç kësaj, mund të mos marrësh të gjithë lëndët ushqyese që të nevojiten, sepse gjatë përdorimit të GLP-1 zakonisht konsumon më pak ushqim.
Si ta parandalosh dhe menaxhosh “brain fog” nga GLP-1
Hidratimi: Krijo një mënyrë që të të kujtojë të pish lëngje gjatë gjithë ditës. Mund të vendosësh një alarm në telefon çdo orë ose të përdorësh një shishe uji me shenja që tregojnë sasinë që duhet të pish. Kufizo alkoolin dhe pi më shumë lëngje gjatë motit të nxehtë ose kur ushtron aktivitet fizik.
Ushqyerja: Zgjidh vakte dhe ushqime të vogla, por të pasura me vlera ushqyese, në mënyrë që të marrësh mjaftueshëm proteina, karbohidrate, yndyra, vitamina dhe minerale.
Gjumi: Gjumi i mjaftueshëm është shumë i rëndësishëm për të parandaluar shumë nga simptomat e “brain fog”. Mund të vendosësh një alarm për orarin e gjumit dhe të planifikosh aktivitetet e mbrëmjes në mënyrë që të flesh në kohë.
Sheqeri në gjak: Mund të monitorosh sheqerin në gjak në shtëpi për t’u siguruar që nuk po bie shumë poshtë. Është e rëndësishme të njohësh shenjat e hershme të hipoglicemisë, si dridhjet, nervozizmi, irritimi dhe ndryshimet e humorit.
Nëse “brain fog” po ndikon në jetën e përditshme dhe ndryshimet në stilin e jetesës nuk po ndihmojnë, fol me mjekun. Mjeku mund të rekomandojë ndryshimin e dozës së GLP-1 ose të medikamenteve të tjera, si dhe monitorim më të rregullt të glukozës në gjak.


