Një ditë pas zjarreve të fuqishme që përfshinë zonat e Levanit në Fier dhe Himarës, kryeministri Edi Rama ka zbritur në terren për të parë nga afër situatën dhe dëmet e shkaktuara nga flakët.
Rama është shfaqur i shoqëruar nga ministrat Besfort Lamallari dhe Ermal Nufi, ndërsa përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale ka përcjellë edhe një mesazh lidhur me situatën.
“Ç’nuk na vret, na bën më t’fortë”, shkruan kryeministri krahas videos.
Zjarret në këto zona kanë shkaktuar dëme, ndërsa autoritetet vijojnë vlerësimin e pasojave. Në Himarë, zjarri në lagjen “1 Maji” u shua pas një operacioni të gjerë, ndërsa sipas Ministrisë së Mbrojtjes 6 banesa u dogjën, prej të cilave 3 të banuara, dhe 36 persona u evakuuan.
Ndërkohë, situata e zjarreve vijon të jetë aktive në disa qarqe të vendit. Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes të datës 5 shtator, gjatë ditës u raportuan 21 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbetën aktive, 5 nën mbikëqyrje dhe 5 u shuan.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 587 forca operacionale vendore dhe 52 automjete zjarrfikëse, si dhe 550 efektivë dhe 7 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Nga ajri operuan 4 helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Vatrat aktive u raportuan në disa zona, përfshirë Fierin, Shkodrën, Matin, Dajtin, Vajkalin, Mallunxë–Lis, Gallatën, Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, Krastën e Elbasanit, Iballën dhe Krepse.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, ndërsa strukturat operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.


