Sot moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, gjatë pasdites do të ketë paqëndrueshmëri, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. Në disa vende proceset do të jenë më intensive dhe do të shfaqen në formë stuhie, me erë të fortë, reshje të dendura shiu, bubullima dhe breshër.
Do të fryjë erë mesatare, herë pas here e përforcuar, nga drejtimi i veriut.
Temperatura minimale do të lëvizë nga 13 deri në 21 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 28 deri në 35 gradë.
Në Shkup do të mbajë mot me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të vogla deri në mesatare. Në disa pjesë të fushëgropës së Shkupit do të ketë kushte për stuhi afatshkurtër, të shoqëruar me reshje të dendura shiu, erë të fortë, bubullima dhe mundësi për breshër. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshueshme.
Temperatura minimale do të ulet deri në 20 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 35 gradë.
Nesër paradite do të jetë me diell dhe ngrohtë, ndërsa gjatë pasdites do të ketë paqëndrueshmëri, të shoqëruar me erë të përforcuar, reshje të dendura shiu dhe bubullima. Lokalisht priten stuhi me erë të fortë, reshje të rrëmbyeshme shiu dhe breshër.
Deri në fillim të javës së ardhshme moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Të premten do të fryjë erë e përforcuar deri në të fortë, kryesisht nga drejtimi i veriut.


