Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot do të nisë seancën e 121-të, në të cilën janë paraparë gjithsej 53 pika të rendit të ditës. Në fokus është edhe emërimi i Arlinda Hasani Sinanit për zv/guvernatore të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Deputetët pritet të votojnë për emërimin e Hasani Sinanit në pozitën e zv/guvernatores, pas konkursit publik të shpallur nga Banka Popullore për plotësimin e vendit vakant.
Në seancë janë paraparë edhe disa ratifikime, përfshirë konventa dhe marrëveshje në fushën e aviacionit civil, bashkëpunimit për riatdhesimin e personave me qëndrim të parregullt, si dhe marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me Lituaninë, Slloveninë dhe Portugalinë.
Në rend dite është edhe Propozim-ligji për raportimin dhe verifikimin e investimeve të huaja direkte, në lexim të parë, si dhe Propozim-Strategjia Kombëtare për Sigurinë e Trafikut Rrugor 2026–2030.
Deputetët do të votojnë gjithashtu për dhënien e pëlqimit për Statutin e Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime Ujore dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbetjeve Komunale.
Pjesë e seancës janë edhe një numër i madh ligjesh me procedurë të shkurtuar, kryesisht për harmonizimin e tyre me Ligjin për zyrtarët e lartë drejtues.
Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe Raportin vjetor të Agjencisë për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik për vitin 2025.


