Shkupi të shtunën do të jetë nikoqir i një eventi të veçantë kushtuar Vespa-s, me rastin e 80-vjetorit të këtij skuteri ikonik italian. Aktiviteti do të zhvillohet në parkingun para Qendrës Sportive „Boris Trajkovski“, nga ora 12:00 deri në 22:00, përcjell TV21. Vizitorët do të kenë mundësi të shohin modele unike dhe të rralla të Vespa-s, si dhe oldtajmerë nga markat italiane Fiat dhe Alfa. Në program janë edhe gara në tri disiplina: vozitje e shkathtë, vozitje e ngadaltë dhe gara 60-metërshe.
Përveç aktiviteteve sportive, do të ketë ushqim italian, kafe, muzikë me pesë DJ dhe performancë dyorëshe nga Kali & Guru Hare Band. Në event pritet të marrin pjesë rreth 40-50 garues, klubet e Vespa-s nga Shkupi, Prilepi dhe Dibra, si dhe përfaqësues nga Serbia. I pranishëm pritet të jetë edhe ambasadori italian në vend.
Organizatorët nga Vespa Club Shkup thonë se synojnë që eventi të shndërrohet në traditë.




