-Kryetari e ka nda mendjen të mos e respektojë ligjin, tha mes tjerash këshilltar i AKI-së, Armend Murseli, pasi këshilltarët shqiptarë në komunën e Butelit, ata të VLEN-it dhe AKI-së, lëshuan seancën e sotme komunale, ku mes tjerash u diskutua edhe për mbylljen e paraleles shqipe në shkollën fillore “Petar Zdravkovski-Penko”, përcjell TV21. Këshilltarët thonë se ka bazë ligjore që nxënësit që jetojnë afër kësaj shkolle, ndonëse me adresë janë në komunën e Çairit, të mund të regjistrohen në këtë shkollë. Këshilltarët shqiptarë mohojnë kategorikisht se kanë votuar për mbylljen e paraleleve në këtë komunë.
“Dëshiroj ta bëj të qartë se ne si këshilltarë shqiptarë, asnjëherë nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi për mbylljen e asnjë paraleleje”, tha Albesa Ramani nga VLEN, duke shtuar se janë në koordinim me zv/ministrin e Arsimit për të gjetur zgjidhje.
“Vijoi debati, duhej të përpilojmë neve si këshilltarë një pikë, në të cilën do të duhej ta vendosim në rend të ditës dhe ta votojmë që paralelja në “Penko” të mos mbyllet dhe të vazhdojë me mësim. Ne e përpiluam atë propozim…Përgjigjja ishte decide se nuk mundet të vazhdojë ajo paralele dhe se është më fakt i kryer, e nxorëm në votim, normalisht na mbivotuan dhe na rrëzuan poshtë si pikë të rendit të ditës”, u shpreh Linkest Lumani nga AKI.


