Taylor Swift ka bërë një tjetër gjest bamirësie, këtë herë në ndihmë të Ashley Taunton, një nënë e tre fëmijëve që pësoi dëmtime të rënda pasi rrezikoi jetën për të shpëtuar disa adoleshentë nga një aksident automobilistik në Rhode Island.
Këngëtarja ka dhuruar 50 mijë dollarë, rreth 42 mijë euro, për 42-vjeçaren, e cila tashmë përballet me një periudhë të gjatë rikuperimi pas aksidentit.
Taunton po udhëtonte në autostradën I-95 South së bashku me vajzën e saj më të vogël kur pa një automjet të drejtuar nga një adoleshent që kishte humbur kontrollin për shkak të shiut.

Ajo ndaloi për t’u ardhur në ndihmë të rinjve. Por ndërsa po përpiqej t’i largonte nga rruga, një automjet tjetër humbi kontrollin dhe e përplasi, shkruan DailyMail.
Përplasja i shkaktoi Taunton dëmtime të rënda dhe kërcënuese për jetën.
Ajo pësoi dëmtime në arteriet karotide, çarje të mëlçisë dhe shpretkës, fraktura të shumta të brinjëve dhe dëmtim të diafragmës.
Duke kujtuar momentet pas aksidentit, 42-vjeçarja tregoi se mendoi se mund të mos mbijetonte.
Mendova, ‘Kaq ishte’. Pastaj edhe në ambulancë, thjesht po lutesha, nuk doja të vdisja
-rrëfeu ajo.
Historia e saj duket se preku edhe Taylor Swift, e cila vendosi ta ndihmonte financiarisht me një donacion prej 50 mijë dollarësh.
Ndërkohë, një fushatë në “GoFundMe” e krijuar për të ndihmuar Taunton me shpenzimet e rikuperimit kishte mbledhur më shumë se 64 mijë dollarë, rreth 54 mijë euro, nga objektivi prej 110 mijë dollarësh, rreth 93 mijë euro.
Mjekët presin që fizioterapia e saj të zgjasë deri në një vit, duke e bërë periudhën e ardhshme veçanërisht të vështirë për të dhe familjen e saj.
Në një moment kur ajo po përballet me një rrugë të gjatë drejt rikthimit në normalitet, donacioni i Swift vjen si një ndihmë e rëndësishme për një grua që, përpara se të mendonte për veten, zgjodhi të ndalonte në mes të një autostrade për të shpëtuar jetë të tjera.


