Data qendrat do të ndërtohen sipas Strategjisë Kombëtare, është porosia që e dërgoi kryeministri Hristijan Mickoski rreth debateve pro ose kundër ndërtimit të tyre në Maqedoni. Siç thotë ai, përderisa është kryeministër do ta zhvillojë shtetin dhe duhet të ecet në hap me teknologjinë. Një nga këta hapa, sipas tij, është ndërtimi i qendrave të të dhënave, të cilat, siç thotë, janë e ardhmja e njerëzimit. Qendrat e të dhënave do të ndërtohen sipas kushteve ligjore dhe në vende ku ekzistojnë kushtet që kjo industri të zhvillohet. Në pyetjen nëse ka nevojë për shqetësim për shkatërrimin eventual të burimeve natyrore dhe mjedisit jetësor, Mickoski u përgjigj:
“Absolutisht jo dhe do të ndërtohen qendra të të dhënave në përputhje me Strategjinë Kombëtare, sepse përsëri do të them, kjo është e ardhmja e njerëzimit, njerëzimi po lëviz në atë drejtim. Vitin e kaluar, 2025 ose 2024, mos më mbani përgjegjës për fjalën, Franca ka 68 miliardë euro investime në qendrat e të dhënave. BPV-ja e SHBA-së është mbi bazën e inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave. Po të mos ishte kjo, ata do të ishin në recesion dhe falimentim. Të gjithë ne tani duhet të vendosim, nëse do të hyjmë në kënetën politike të opozitës e cila nuk kupton dhe e cila dërgon lajme që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin, apo do të ecim në hap me drejtimin në të cilin po lëviz njerëzimi”, tha Mickoski.
Nga ana tjetër, opozita përsëri kritikon dhe është kundër ndërtimit të qendrave të të dhënave. Sipas LSDM-së, Maqedonia nuk ka sistem të qëndrueshëm energjetik për një gjë të tillë.
“Maqedonia nuk ka sistem të qëndrueshëm energjetik që Mickoski të premtojë paraprakisht burime shtetërore, pa e ditur publiku se sa do të kushtojë kjo dhe kush do ta paguajë faturën. Kjo nuk është strategji për zhvillim, por bixhoz i rrezikshëm me ujin, energjinë elektrike dhe tokën e qytetarëve. LSDM-ja nuk ka asgjë kundër investimeve që sjellin zhvillim, vende pune dhe teknologji të reja. Por investimet duhet të jenë në interes të Maqedonisë, dhe jo që burimet e Maqedonisë të vihen në funksion të fitimeve të huaja”, thonë nga LSDM.
Para disa ditësh, këshilltarët e Komunës së Pehçevës njëzëri e hodhën poshtë idenë për ndërtimin e qendrave të të dhënave në territorin e tyre. Kjo, sipas deklaratave të kryeministrit Mickoski, ka qenë një iniciativë private dhe ai nuk ka dashur të hyjë në detaje për këtë rast. Megjithatë, ai njoftoi se 5-6 kompani tashmë kanë qenë të interesuara për investime dhe ndërtimin e qendrave të të dhënave, ndërsa siç thotë, përderisa ata janë në pushtet, nuk do të heqin dorë nga kjo ide.


