Gal Gadot tërhoqi vëmendjen në Los Angeles, ku mori pjesë në eventin pas shfaqjes së filmit të saj më të ri, “The Runner”.
Aktorja 41-vjeçare u shfaq fillimisht në tapetin e kuq me një pamje elegante dhe të sofistikuar. Gadot kishte zgjedhur një fustan blu të errët, pa rripa, të cilin e kombinoi me taka të zeza dhe bizhuteri argjendi.

Por nëse para kamerave zgjodhi elegancën klasike, për festën pas eventit aktorja vendosi të ndryshojë tërësisht stil.
Gadot u shfaq me një fustan të kuq të thellë, me dekolte të hapur dhe një të çarë elegante, duke tërhequr sërish gjithë vëmendjen. Pamjen e kompletoi me taka të kuqe dhe bizhuteri ari.

Dy paraqitjet e saj brenda së njëjtës mbrëmje sollën kështu dy versione krejt të ndryshme të aktores: fillimisht e rafinuar dhe minimaliste, e më pas më sensuale dhe glamuroze.
Në filmin “The Runner”, Gadot interpreton një avokate të suksesshme londineze, jeta e së cilës përmbyset brenda pak çastesh kur djali i saj rrëmbehet.

Personazhi detyrohet të ndjekë kërkesat e një telefonuesi misterioz dhe nis një ndjekje të rrezikshme nëpër Londër, në përpjekje për të shpëtuar të birin.
Për këtë rol, aktorja iu nënshtrua një përgatitjeje intensive fizike, duke kaluar plot nëntë muaj duke u stërvitur për vrapimin.
Unë nuk jam Tom Cruise dhe vrapimi nuk është pjesë e jetës sime
-tha ajo, duke treguar se dikur e urrente vrapimin. Megjithatë, pas muajsh stërvitjeje me një trajner olimpik, Gadot arriti jo vetëm të përgatitej për rolin, por edhe të fillonte ta shijonte këtë aktivitet.

Në film interpretojnë gjithashtu Damian Lewis, Rory Wilmot dhe Alfred Enoch.
“The Runner” do të shpërndahet nga Amazon MGM Studios dhe pritet të publikohet më 2 shtator, duke sjellë Gal Gadot në një rol aksion-dramatik ku, përtej elegancës së saj në tapetin e kuq, do ta shohim duke vrapuar për jetën e djalit të saj.


