Tre deputetë nuk kanë thënë asnjë fjalë në Kuvend gjatë gjysmës së parë të vitit të kaluar, tregon platforma pratenici.mk, e cila sot u prezantua nga Instituti për Demokraci Societas Civilis – Shkup. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, dhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Valentina Marçevska, për gjashtë muaj nuk janë paraqitur asnjëherë për diskutim, nuk kanë parashtruar pyetje deputetësh, nuk kanë propozuar ligj apo amendament dhe nuk kanë qenë anëtarë të ndonjë komisioni parlamentar, shkruan PressOnline.al
Ndryshe nga Ahmeti dhe Thaçi, të cilët prej vitesh janë ndër deputetët më të parregullt, Marçevska është ndër deputetet më të rregullta – ajo ka marrë pjesë në të 56 seancat.
Ahmeti ka marrë pjesë vetëm në 3, ndërsa Thaçi në 4 seanca. Listën e deputetëve më të parregullt e plotësojnë Sadulla Duraku, i cili ka marrë pjesë në 15 seanca, si dhe Skender Rexhepi nga Populli dhe Valbona Adili-Emini nga Besa, të cilët kanë marrë pjesë në nga 16 prej 56 seancave.
Platforma tregon se 45 nga gjithsej 120 deputetë nuk janë paraqitur fare për të diskutuar për ndonjë çështje, dy të tretat e deputetëve nuk kanë parashtruar pyetje deputetësh, 36 nuk kanë marrë pjesë në propozimin e amendamenteve, ndërsa 13 nuk janë nënshkruar në asnjë propozimligj.
Kuvendi rregullisht publikon raporte për aktivitetin e deputetëve, por tani kërkimi është më i lehtë dhe mund të shihet saktësisht se cili prej tyre çfarë ka bërë. Megjithatë, duke pasur parasysh se në zgjedhje votohet për parti dhe jo për individë, qytetarët nuk kanë mekanizëm për të kërkuar llogaridhënie nga deputetë konkretë. Në Institutin për Demokraci Societas Civilis – Shkup thonë se transparenca dhe llogaridhënia janë një hap në drejtimin e duhur.
“Aktualisht, ashtu siç është i pozicionuar sistemi i zgjedhjes së deputetëve në Kuvendin tonë, qytetarët nuk kanë mundësi të zgjedhin emra individualë, por votojnë për lista të cilat paraprakisht përcaktohen nga partitë politike, kështu që kjo mund të jetë edhe një mekanizëm i mirë për vetë partitë politike, që të shohin se si performojnë njerëzit që i kanë vendosur në ato lista, përkatësisht se si e përmbushin rolin e përfaqësimit në vetë Kuvendin”, thotë Aleksandra Jovevska Gjorgjeviq nga IDSCS.
Platforma tregon se deputetët më aktivë gjatë gjysmës së parë të vitit të kaluar kanë qenë Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, Sali Murati nga Lëvizja e Turqve, Jovanka Trençevska nga LSDM, Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE dhe Daniela Nikolova nga LSDM.(PressOnline.al)


