Maqedonia ndodhet në grupin e vendeve me shkallë të lartë të përdoruesve të përditshëm të duhanit dhe produkteve të ngjashme në Evropë, me pothuajse një në katër qytetarë mbi 16 vjeç (22,5% në vitin 2022) që janë konsumatorë të përditshëm. Edhe pse shkalla e Maqedonisë është nën mesataren e vendeve kryesore në rajon si Turqia (29,6%), Serbia (26,6%) dhe Bullgaria (26,3%), ajo është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila në vitin 2025 ishte 16,5%, informon PressOnline.al
Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2025, 16,5% e personave të moshës 16 vjeç e lart në Bashkimin Evropian përdornin çdo ditë duhan dhe produkte të ngjashme, si cigaret elektronike, qeset me nikotinë apo produktet e duhanit të ngrohur. Kjo paraqet një rënie të lehtë krahasuar me 17,5% të regjistruar në vitin 2022.
Ndërsa BE-ja shënon një rënie të përgjithshme të përdorimit të duhanit, nga 17,5% në 16,5%, shumica e vendeve të rajonit, përfshirë Turqinë, Serbinë, Kroacinë dhe Bullgarinë, kanë shënuar rritje të dukshme. Maqedonia e Veriut ndodhet në të njëjtin kontekst ballkanik, ku konsumi i duhanit mbetet i lartë.
Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të fundit të disponueshme, në vitin 2022, 22,5% e personave të moshës 16 vjeç e lart përdornin çdo ditë duhan dhe produkte të ngjashme.
Ndër vendet e BE-së, Bullgaria me 26,3%, Suedia me 23,9% dhe Kroacia me 23,6% regjistruan përqindjet më të larta të përdorimit të përditshëm të duhanit dhe produkteve të ngjashme te personat e moshës 16 vjeç e lart. Përqindjet më të ulëta u regjistruan në Holandë me 9,9%, Irlandë me 11,7%, Belgjikë me 13,6% dhe Luksemburg me 13,8%.
Krahasuar me vendet e rajonit, përqindjen më të lartë të përdoruesve të përditshëm të duhanit e ka Turqia, me 29,6% në vitin 2025. Kjo paraqet një rritje prej 1,4 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2022, kur përqindja ishte 28,2%.
Pas Turqisë renditet Serbia me 26,6%, që shënon një rritje prej 1,8 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2022, kur ishte 24,8%. Bullgaria renditet më pas me 26,3%, me një rritje prej 0,3 pikë përqindjeje nga 26% sa ishte në vitin 2022.
Përpara Maqedonisë së Veriut renditet edhe Mali i Zi me 23,8% në vitin 2022, si dhe Kroacia me 23,6% në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 2,7 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2022, kur përqindja ishte 20,9%.
Greqia ka shënuar rënie të përdorimit të duhanit me 1,6 pikë përqindjeje, nga 24,2% në vitin 2022 në 22,6% në vitin 2025. Ndërkohë, përqindja më e ulët në rajon është regjistruar në Slloveni, me 17,3%, që paraqet një rënie prej 0,6 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2022, kur ishte 17,9%. Shqipëria, sipas të dhënave të disponueshme për vitin 2022, kishte një përqindje prej 15,1%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 20,8% e burrave përdornin duhan çdo ditë, krahasuar me 12,6% të grave.
Sipas grupmoshave, përqindja më e lartë e përdoruesve të përditshëm të duhanit dhe produkteve të ngjashme është regjistruar te grupmosha 35–49 vjeç, me 21,3%. Pas tyre renditen personat e moshës 25–34 vjeç me 19,9% dhe ata të moshës 50–64 vjeç me 19,8%.
Grupmoshat më të reja dhe më të moshuara kanë regjistruar përqindjet më të ulëta, përkatësisht 12,1% dhe 9,1%.
Sipas Eurostat, shumica e njerëzve, ose 77,5%, nuk përdorin produkte të tilla ose nuk i kanë përdorur ato gjatë 12 muajve të fundit para mbledhjes së të dhënave.


