Stomatologët shqiptarë distancohen publikisht nga dy rastet që kanë dëmtuar profesionin. Bëjnë thirrje për rikthimin e integritetit në Shoqërinë Stomatologjike Shqiptare

featured

Shoqata e Stomatologëve Shqiptarë të Maqedonisë “Apolonia” është distancuar publikisht nga rastet e fundit të publikuara në media, në të cilat përfshihen kryetari aktual dhe ish-kryetari i Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare.

Përmes një deklarate, nga “Apolonia” thonë se rastet në fjalë janë të papranueshme dhe nuk përfaqësojnë vlerat e profesionit të stomatologut.

Shoqata i referohet rastit për të cilin Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se janë ngritur kallëzime penale ndaj tre personave. Sipas autoriteteve, ekzistojnë dyshime se kryetari aktual i Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare ka ndërhyrë te kryetari i Komisionit për Provime Profesionale pranë Ministrisë së Shëndetësisë, në këmbim të një shpërblimi financiar, për t’i mundësuar një studenteje kalimin e paligjshëm të provimit profesional.

Nga “Apolonia” theksojnë se rasti është në procedurë hetimore dhe se prezumimi i pafajësisë vlen deri në një vendim përfundimtar gjyqësor. Megjithatë, sipas tyre, dyshimet e publikuara janë në kundërshtim me etikën profesionale.

Në deklaratë përmendet edhe rasti i ish-kryetarit të Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare, i cili njëherësh është edhe kryetar i Senatit të Universitetit të Tetovës. Shoqata rikujton se Forumi për Ndryshime në Arsim ka kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e tij deri në përfundimin e procedurave institucionale.

Kryesia e “Apolonias” shpreh indinjatë për të dy rastet, duke vlerësuar se personat e përmendur kanë qenë ndër protagonistët e përçarjeve në komunitetin stomatologjik gjatë viteve të fundit.

“Ne, si mjekë stomatologë me përgjegjësi ndaj pacientëve, profesionit dhe publikut, nuk mund të identifikohemi me akte të tilla. Këto raste nuk përfaqësojnë mijëra kolegë që e ushtrojnë profesionin me ndershmëri dhe përkushtim”, thuhet në deklaratë.

Në fund, Shoqata e Stomatologëve Shqiptarë të Maqedonisë “Apolonia” kërkon shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit aktual të Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare dhe rikonstituimin e organeve drejtuese, në përputhje me statutin dhe rregulloret në fuqi

Deklarata e Kryesisë së Shoqatës së Stomatologëve Shqiptarë të Maqedonisë – “Apolonia”

Në emër të Kryesisë dhe të gjithë antarëve të Shoqatës së
Stomatologëve Shqiptarë të Maqedonisë – “Apolonia”, njëra nga
shoqatat më të vjetra profesionale në vend dhe paraardhësja historike
e Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare (ShSSh), dalim publikisht për t’u
distancuar në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar nga rastet e fundit
të publikuara në media, të cilat lidhen me dy persona të njohur në
rrethet tona profesionale.
Bëhet fjalë, së pari, për rastin e ngritjes së kallëzimeve penale ndaj tre
personave, ku sipas njoftimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme
dhe Prokurorisë, dyshohet se Kryetari aktual i Shoqërisë
Stomatologjike Shqiptare ka ndërhyrë te kryetari i Komisionit për
Provime Profesionale pranë Ministrisë së Shëndetësisë, në shkëmbim të
një shpërblimi financiar, për t’i mundësuar një studenteje kalimin e
paligjshëm të provimit profesional. Theksojmë se çështja aktualisht
është në procedurë hetimore dhe se prezumimi i pafajësisë vlen deri në
një vendim përfundimtar gjyqësor — mirëpo, pavarësisht epilogut
ligjor, natyra e dyshimeve dhe rrethanat e publikuara janë të
papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me etikën profesionale që
Shoqata jonë ka mbrojtur dekada me radhë.
Së dyti, i referohemi rastit të publikuar në lidhje me Ish-Kryetarin e
Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare, i cili njëkohësisht mban edhe
pozitën e Kryetarit të Senatit të Universitetit të Tetovës, ndaj të cilit
Forumi për Ndryshime në Arsim ka kërkuar publikisht
shkarkimin/dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Senatit, derisa rasti i
denoncuar të marrë epilog përfundimtar institucional dhe ligjor

Si kryesi e Shoqatës “Apolonia”, shprehim indinjatë të thellë ndaj këtyre rasteve.
Të dy personat e përfshirë kanë qenë, njëkohësisht, edhe protagonistë të njohur të
përçarjes brenda radhëve tona profesionale gjatë viteve të fundit, përfshirë edhe
rolin e tyre në shpërbërjen e Odës Stomatologjike të Maqedonisë, ku përmes një
përfaqësimi që e konsiderojmë jolegjitim, u përpoqën të flasin në emër të
profesionistëve shqiptarë të fushës.
Ne, si mjekë stomatologë me përgjegjësi ndaj pacientëve, ndaj profesionit dhe ndaj
publikut, nuk identifikohemi dhe nuk mund të identifikohemi me akte të tilla,
pavarësisht se çfarë pozicioni kanë mbajtur apo mbajnë personat e përfshirë. Këto
raste nuk përfaqësojnë as vlerat, as standardet e mijëra kolegëve tanë që e
ushtrojnë profesionin me dinjitet, ndershmëri dhe përkushtim ndaj etikës
mjekësore.
Prandaj, i bëjmë thirrje gjithë antarësisë sonë për konsolidim rreth vlerave
profesionale dhe për rikthimin e Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare në duar
kolegësh me integritet, pa njolla apo etiketime publike.
Duke pasur parasysh ndikimin e drejtpërdrejtë që rastet e sipërpërmendura kanë
pasur në përçarjen e Shoqërisë dhe në cenimin e imazhit të profesionit tonë,
kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Kryetarit në fjalë nga funksioni që mban,
si dhe rikonstituimin e Organeve të Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare në
përputhje me normat statutare, rregulloret në fuqi dhe marrëveshjen
ndërkolegiale e ndërrajonale për rotacionin e udhëheqjes — parim mbi të cilin
është themeluar dhe ka funksionuar historikisht Shoqëria, deri në shkeljen e tij
nga po ata persona që sot janë subjekt i kësaj Deklarate.
Me respekt,
K

--°