Pas 14 orëve seancë maratonë, me 80 votat e maxhorancës, në Kuvendin e Shqipërisë u miratua në parim buxheti për vitin 2027 prej 10 miliardë eurosh. Për socialistët, është rritje e investimeve publike dhe mbështetjes sociale, ndërsa nga deputetët e opozitës mori 25 vota kundër dhe u cilësua “kriminal”.
Opozita votoi kundër edhe për ligjet e Paketës Fiskale 2027, konkretisht për Tatimin mbi të Ardhurat i ndryshuar, me 80 vota pro e 25 kundër; për TVSH-në, me 80 vota pro dhe 24 kundër; për Procedurat tatimore 80 vota pro dhe 24 kundër; Akcizat 80 vota pro dhe 25 kundër, si dhe ligji për Strehimin Social 79 vota pro, 1 abstenim (Greta Bardeli) e 25 kundër.
Për Buxhetin, kritikat u fokusuan kryesisht te shpërndarja e parave, mungesa e konsultimit me bizneset dhe më shumë kosto për xhepat e qytetarëve.
Buxheti do të rikthehet në komisione për t’u shqyrtuar nen për nen e për të bërë edhe ndryshimet në të, nëse kërkesat e opozitës apo institucioneve do të pranohen. Më pas kalon sërish në Parlament për miratimin në tërësi.
Seanca nuk kaloi pa një incident pasi pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike për disa çaste, të cilin opozita e shfrytëzoi për të thirrur në kor: “Rama jepe dorëheqjen”.


