Turneu i parë muzikor i North West është anuluar vetëm pak ditë përpara nisjes së planifikuar, duke zhgënjyer fansat që prisnin ta shihnin në skenë gjatë muajit gusht.

Vajza 13-vjeçare e Kim Kardashian dhe Kanye West ishte planifikuar të niste më 5 gusht turneun 14-ditor “Kimokawaii”së bashku me reperen Molly Santana. Megjithatë, koncertet e paralajmëruara janë hequr nga platformat e shitjes së biletave, ndërsa datat e turneut nuk figurojnë më as në faqen zyrtare të artistes.

Mes shfaqjeve të anuluara janë ato në Dallas, Toronto dhe Los Angeles, ndërsa edhe koncertet e tjera të planifikuara në qytete si Houston, New York, Boston, Chicago, Phoenix dhe Atlanta nuk janë më të listuara.

Vetë North konfirmoi lajmin përmes një postimi në InstaStory.
Isha shumë e emocionuar që do të shkoja në turne me Molly Santana. Fatkeqësisht, kjo nuk do të ndodhë më, por kam diçka të veçantë për ju. Shihemi së shpejti
-shkroi ajo, pa zbuluar arsyen e anulimit.
Edhe Molly Santana reagoi ndaj zhvillimit, duke u kërkuar falje fansave që kishin blerë bileta dhe duke premtuar se do t’ua shpërblejë mbështetjen në të ardhmen.

Turneu ishte njoftuar në muajin qershor dhe ishte promovuar edhe nga Kim Kardashian në rrjetet sociale, duke u konsideruar si hapi i parë i rëndësishëm i North në skenën muzikore.
Anulimi vjen vetëm pak muaj pasi North publikoi EP-në e saj debutuese “N0rth4evr”, projekt me të cilin nisi zyrtarisht karrierën muzikore.
Ajo është ngjitur më herët në skenë edhe përkrah babait të saj, Kanye West, si dhe ka marrë pjesë në projekte të artistëve të tjerë, duke tërhequr vëmendjen si një nga emrat e rinj më të komentuar në industrinë e muzikës.









