Seanca e së enjtes Kuvendit të Maqedonisë së Veriut e dedikuar për pyetjet parlamentare u shndërrua në një përplasje të ashpër politike mes pushtetit dhe opozitës, e shoqëruar me bllokada, pauza, debate procedurale dhe akuza të ndërsjella për shkelje të Rregullores së Kuvendit, shkruan PressOnline.al
Kriza nisi pasi deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, deklaroi se kryeministri Hristijan Mickoski nuk i është përgjigjur as me shkrim pyetjes së saj parlamentare nga seanca e kaluar, megjithëse afati ligjor prej 20 ditësh ka kaluar.
“Nuk mora as përgjigje me shkrim nga kryeministri Hristijan Mickoski, edhe pse pyetjen e parashtrova gojarisht. Nuk respektohet afati prej 20 ditësh për të marrë përgjigje. Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të japin përgjigje me shkrim. Ju, si kryetar i Kuvendit, duhet të kërkoni që ai të më përgjigjet. Propozoj që seanca të ndërpritet, sepse nuk ka kuptim deputetët të bëjnë pyetje nëse Qeveria nuk përgjigjet. Kjo seancë duhet të ndërpritet”, deklaroi Dauti.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, pranoi se vërejtja procedurale është e bazuar dhe premtoi se do të kërkojë që përgjigjja t’i dërgohet me shkrim.
“Kryeministri është i pranishëm, me siguri do t’ju përgjigjet, ndërsa unë me shkrim do të kërkoj që t’ju dorëzohet përgjigjja”, tha Gashi.
Megjithatë, Dauti nuk u tërhoq nga kërkesa e saj dhe insistoi që seanca të mos vazhdojë pa marrë përgjigjen e kërkuar.
Filipçe: “Uji është i ndotur në gjysmën e shtetit”
I vetmi që arriti të parashtrojë pyetje ishte lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili akuzoi Qeverinë për dështime në menaxhimin e ujit të pijshëm, korrupsionin dhe rënien e standardit të jetesës.
“Po dalin në pah paaftësia dhe gënjeshtrat me të cilat qeverisni. Nuk ju ndihmon as PR-i i fortë që bëni, maskat kanë rënë. Uji është i ndotur në gjysmën e shtetit. E kujt është përgjegjësia? Pse nuk publikohen rezultatet për ujin në Gostivar? Eurostat konfirmoi se jemi të fundit në Evropë për standard jetese. Praktikat korruptive vazhdojnë dhe raporti i fundit i Komisionit Evropian tregon ndikim të drejtpërdrejtë të pushtetit mbi gjyqësorin”, deklaroi Filipçe, përcjell PressOnline.al
Ai shtoi se qytetarët e dinë se përgjegjësia për këto probleme bie mbi Qeverinë.
Mickoski: “Ju lejuat qytetarët të pinin ujë të rrezikshëm”
Në përgjigjen e tij, kryeministri Hristijan Mickoski i hodhi poshtë akuzat dhe e akuzoi Filipçen për periudhën kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
“Duke e keqpërdorur foltoren, u përpoqët të flisni për shumë tema. Sa i përket kredisë hungareze, vetë fakti që u konfirmua se është marrë me kushte preferenciale tregon se kemi siguruar financimin më të lirë për shtetin”, tha Mickoski.
Më pas ai u ndal te çështja e ujit të pijshëm.
“Këtu kam një grumbull raportesh për Gostivarin dhe rrethinën. Ju ishit ministër në atë periudhë. Jo vetëm që ju digjeshin spitalet modulare, por si mjek nuk iu përmbajtët betimit tuaj. Ju lejuat që qytetarët të konsumonin ujë që, në rastin më të mirë, përbënte rrezik për shëndetin e tyre”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, situata me cilësinë e ujit në Gostivar po përmirësohet dhe pritet që brenda pak ditësh qytetarët të kenë ujë të sigurt për konsum.
Opozita shqiptare bllokoi foltoren
Pas debatit, Ilire Dauti doli para foltores dhe refuzoi të largohej derisa të merrte përgjigje nga kryeministri. Në mbështetje të saj u rreshtua edhe lideri i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ndërsa kryetari i Kuvendit shpalli pauzë.
Pas rikthimit, situata mbeti e pandryshuar.
Deputeti Rijad Shaqiri deklaroi se një kryeministër nuk mund të zgjedhë se cilëve deputetë do t’u përgjigjet.
“Si person privat mund të injoroni kë të doni, por si kryeministër jeni i detyruar t’u përgjigjeni pyetjeve parlamentare”, tha Shaqiri.
Nga ana tjetër, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, akuzoi opozitën për keqpërdorim të procedurave.
“Po e keqpërdorni Rregulloren. Nuk mund ta bllokoni seancën për pyetje parlamentare. Bëni pyetje, por mos bëni spektakël që 120 deputetë t’ju dëgjojnë”, deklaroi Micevski.
Edhe deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, tha se opozita po kërkon vetëm përfitime politike.
“Nëse ministri nuk përgjigjet, kjo është përgjegjësia e tij morale. Mos luani rolin e policit dhe mos e bllokoni Kuvendin për disa pëlqime në rrjetet sociale”, u shpreh Qoku.
Ndërsa Ziadin Sela këmbënguli se kryeministri është i detyruar të respektojë afatin ligjor.
“Kryeministri është i detyruar t’i përgjigjet institucionit të deputetit. Vetëm si person privat mund të mos i përgjigjet askujt”, deklaroi Sela.
Në fund të debatit, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, njoftoi se çështja e interpretimit të Rregullores do t’i dërgohet Komisionit për Çështje të Rregullores, me qëllim që të shmangen bllokada të ngjashme në të ardhmen. (PressOnline.al)









