Humb betejën në gjykatë? Babai i Amy Winehouse detyrohet të paguajë mbi 1 milion euro, pse?

featured

Babai i këngëtares së ndjerë Amy Winehouse, Mitch Winehouse, është përballur me një humbje të rëndë në Gjykatën e Lartë të Britanisë, e cila e ka urdhëruar të paguajë më shumë se një milion euro shpenzime ligjore ndaj dy ish-shoqeve të vajzës së tij.

Çështja lidhej me shitjen në ankand të disa sendeve personale të Amy Winehouse në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve 2021 dhe 2023. Mitch pretendonte se Naomi Parry dhe Catriona Gourlay kishin përfituar financiarisht nga ankandet dhe se kishin fshehur qëllimisht informacionin për shitjen e objekteve.

Megjithatë, gjyqtarja Sarah Clarke KC rrëzoi padinë, duke vlerësuar se Mitch Winehouse kishte qenë në dijeni të planeve për ankandin shumë kohë përpara realizimit të tij. Sipas vendimit, vetëm pasi shitja kishte përfunduar ai kishte nisur të kërkonte kompensim financiar nga dy gratë.

Në arsyetimin e saj, gjyqtarja theksoi se paditësi kishte ngritur akuza të rënda pa prova të mjaftueshme dhe se mënyra se si kishte ndjekur procesin gjyqësor kishte dëmtuar reputacionin, karrierën, sigurinë financiare dhe mirëqenien e të paditurave.

Procesi gjyqësor u shoqërua me shpenzime të konsiderueshme. Naomi Parry raportoi kosto ligjore që i kalojnë 830 mijë euro, ndërsa Catriona Gourlay rreth 550 mijë euro.

Përveç mbulimit të këtyre shpenzimeve, Mitch Winehouse është urdhëruar të paguajë edhe kostot ligjore sipas një norme më të lartë kompensimi, një masë që gjykatat britanike e aplikojnë kur konsiderojnë se njëra palë ka vepruar në mënyrë të paarsyeshme gjatë procesit.

Sipas gjyqtares Clarke, çështja ishte zgjatur dhe ndërlikuar në mënyrë të panevojshme, me synimin për të ushtruar presion ndaj dy grave që të pranonin kërkesat e Mitch Winehouse.