Shkëndija sonte kërkon përmbysjen ndaj Bravos në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë eliminator të UEFA Conference League. Takimi zhvillohet të enjten në Shkup, me fillim në orën 20:00, ndërsa skuadra tetovare synon të kalojë më tej pas humbjes 2:1 në ndeshjen e parë në Slloveni.
Trajneri Artim Pollozhani ka theksuar se skuadra duhet të tregojë më shumë efikasitet në momentet vendimtare dhe të jetë e përqendruar gjatë gjithë takimit.
“Ne futemi për ta fituar ndeshjen. Këtë herë është shumë me rëndësi rezultati, por edhe mënyra se si arrijmë ta fitojmë. Në ndeshjen e parë kemi bërë një paraqitje të mirë nga aspekti i lojës, por na ka munguar finalizimi. Në një ndeshje eliminimi duhet të jemi më korrektë dhe më konkretë para portës”, është shprehur Pollozhani.
Ai ka vlerësuar edhe rëndësinë e mbështetjes nga tifozët, pasi klubi ka vendosur që hyrja në stadium të jetë pa pagesë.
“Është një gjest për t’u përshëndetur. Klubi dhe tifozët janë një binom që duhet të funksionojë. Mbështetja sa më e madhe do të jetë shumë e rëndësishme për emocionin dhe energjinë që lojtarët do të kenë në fushë”, ka thënë trajneri i Shkëndijës.
Pollozhani ka shtuar se objektivi i skuadrës është të vazhdojë rrugëtimin europian dhe të tentojë përsëritjen e suksesit të sezonit të kaluar.
“Ne duam të përsërisim atë që kemi arritur vitin e kaluar, por pa krijuar presion te lojtarët. Ata duhet të zbatojnë detyrat taktike dhe teknike, ndërsa ne si staf kemi përgjegjësinë për përgatitjen e ekipit”, ka përfunduar Pollozhani.


