Meri Dika zgjidhet gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese

featured

Kuvendi zgjodhi Meri Dika Georgievskën si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, pasi propozimi mori mbështetjen e 64 deputetëve.

Vendimin e njoftoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, pas përfundimit të votimit.

“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me shumicë votash. E vë në votim propozimin që Meri Dika Georgievska të zgjidhet gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese. Me 64 vota pro, asnjë të përmbajtur dhe asnjë kundër, Meri Dika Georgievska zgjidhet gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese”, tha Gashi.

Pas zgjedhjes, Meri Dika Georgievska bëri betimin solemn para deputetëve në Kuvend, duke marrë edhe zyrtarisht detyrën e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese.

Meri Dika Georgievska është e diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku diplomoi në vitin 1985. Studimet master në shkencat juridike i përfundoi në Universitetin “American College” në Shkup në vitin 2014. Provimin e jurisprudencës e kaloi në vitin 1987.

Karrierën e nisi si praktikante në avokati dhe bashkëpunëtore profesionale, ndërsa më pas punoi si avokate në zyrën e saj. Nga viti 1996 deri në vitin 2005 ishte gjyqtare në Gjykatën Themelore Shkupi II, ndërsa më pas vazhdoi si gjyqtare në Gjykatën e Apelit në Shkup.

Nga viti 2012 deri në vitin 2018 ishte anëtare e Këshillit Gjyqësor, pas së cilës u rikthye në Gjykatën e Apelit. Në vitin 2023 u zgjodh kryetare e Gjykatës së Apelit në Shkup.

Gjatë karrierës së saj ka qenë kryetare e departamenteve ekonomike në Gjykatën Themelore dhe në Gjykatën e Apelit, ndërsa flet edhe gjuhën angleze.