Murtezi dha dorëheqje nga VLEN për t’ia lëshuar vendin “dikujt tjetër”, bashkëkryetari Izet Mexhiti i painformuar

featured
Press Online
26 Korrik 2026, 18:13

Ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake, kryetari i Komisionit Kadrovik dhe Kuvendit Qendror të VLEN-it, Bashkim Murtezi. Në letrën e tij të gjatë me reflektime e falënderime, funksionari i VLEN-it thotë se arsyeja për tërheqjen e tij është për t’i liruar dikujt tjetër.

“Ka një kohë për të ndërtuar, një kohë për të luftuar dhe një kohë për t’u ndalur e për ta falënderuar Zotin për atë që është bërë me qëllim të mirë. Gjithsesi është edhe një kohë kur njeriu duhet t’i thotë vetes së është koha për ta liruar rrugën për dikë tjetër. Besoj se kontributi im e ka përmbushur ciklin e vet dhe se rrugëtimi i VLEN-it duhet të vazhdojë me energji të reja dhe me përgjegjësi të reja”, shkruan Murtezi.

Megjithatë, për dorëheqjen e një prej figurave më me peshë brenda strukturës së VLEN-it që u bë publike sot, por që mban datën e 24 korrikut, njëri nga bashkëkryetarët e partisë Izeti Mexhiti është i painformuar. I pyetur nëse bëhet fjalë për pakënaqësi, Mexhiti thotë se VLEN-i është një.

“VLEN-i s’ka, është subjekt i madh, është VLEN-i një edhe nuk ka ndonjë pakënaqësi strukturore. Për çfarë arsye ka dhënë dorëheqje? Nuk kam informatë që ka dhënë dorëheqje. Ka pasur një status. Nuk kam parë, kur ta shoh do të përgjigjem”, tha Izet Mexhiti, Bashkëkryetar i VLEN-it.

Murtezi vjen nga partia e Alternativës e cila tanimë është e shkrirë në VLEN. Ndërkohë nëpër rrjetet sociale funksionarë që iu bashkuan VLEN-it nga partia Alternativa publikojnë fotografi më mbështetje dhe falënderime për Murtezin. Dorëheqja e Bashkim Murtezit vjen disa javë pas rikonstruimit të Qeverisë, ku pati dhe ndryshim të kuadrove të VLEN-it në disa resorë të eshalonit të parë. Paraprakisht edhe kryetari i kësaj partie Zeqirija Ibraimi dha dorëheqje nga funksionet partiake. /Alsat.mk.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter

--°