Uzurpimi i hapsirave publike nga bizneset lulëzon në Tetovë, komuna ‘pa takat’ t’i ndalojë

featured
Press Online
25 Korrik 2026, 13:07

Hapsirat publike dhe trotuaret vazhdojnë të uzurpohen nga bineset private në Tetovë, ky problem është më i theksuar përgjatë Bulevardit ‘Ilinden’. Qytetarët vazhdimisht ankohen, ndërsa komuna, pavarësisht paralajmërimeve, nuk arrin t’i ndalojë uzurpimet, shkruan Portalb.mk.

Përgjatë bulevardit ‘Ilinden’ në Tetovë, konkretisht nga segmenti prej te Xhamia e Larme e deri te rrethrotullimi te ‘Mema’, disa biznese private keqpërdorin hapësirat publike.

Në hapsirat ku parkohen veturat përgjatë rrugës, pronarët e lokaleve vendosin bllokada të ndryshme si shtylla plastike, karrige, kartonë dhe të tjera, me qëllim zënien ose “rezervimin” e vendeve të parkimit.

Trotuaret shpesh shfrytëzohen për vendosjen e mallrave, pakove, karrigeve dhe pengesave të ndryshme, duke kufizuar hapsirën e kalimit për këmbësorët.

“Kjo krijon pabarazi në përdorimin e hapsirave publike dhe është veçanërisht shqetësuese për banorët rezidentë që respektojnë rregullat dhe detyrimet e tyre. Shqetësimi im nuk drejtohet ndaj individëve apo bizneseve të caktuara, por ndaj një dukurie që po dëmton rendin publik dhe cilësinë e jetës në këtë zonë”, na tha një banor i zonës.

Një qytetar tjetër thotë se hapsirat publike, trotuaret dhe parkingjet duhet të jenë të lira dhe të qasshme për të gjithë qytetarët, dhe institucionet nuk duhet të lejojnë që individë të caktuar të abuzojnë me hapsirën publike.

“Institucionet kompetente, përfshirë inspektoratin dhe organet përgjegjëse për rendin urban, të ndërmarrin masa për kontrollin e situatës dhe zbatimin e rregullave”, thotë një qytetar.

Portalb.mk ka incizuar në terren disa raste të uzurpimit të hapsirave publike nga bizneset private.

Komuna e Tetovës pavarësisht se vazhdimisht paralajmëron lirimin e hapsirave publike, nuk kanë arritur ta zgjidhin këtë problem në këtë zonë.

Vitin e kaluar, Portalb.mk e trajtoi problemin e njëjtë dhe nga komuna aso kohe thanë se do ndërmarrin masa, por në terren nuk ka ndryshime.

Të pyetur për këtë problem, sot nga Komuna e Tetovës heshtin, nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Ndërkaq nga Sektori për Punë të Brendshme i Tetovës na njoftuan se në rastet kur komuna kërkon asistencë gjatë lirimit të hapsirave, dali në ndihmë.

“Në çdo kërkim të asistencës gjatë lirimit të hapsirave publike është e detyruar të asistojë dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë drejtim”, thanë nga SPB Tetovë.

Ndryshe, Tetova vazhdon të ketë mungesë të theksuar të vendeve të parkimit, pavarësisht paralajmërimeve për ndërtimin e parkingjeve të reja, situata në terren mbetet thuaj se e pandryshuar.

Problem tjetër mbetet edhe uzurpimi i hapsirave publike dhe trotuareve edhe nga kafenetë dhe restorantet.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter