Ish presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar Shaban Manajn në 26-vjetorin e rrëmbimit dhe vrasjes së tij, duke e cilësuar atë si simbol të përkushtimit, qëndrueshmërisë dhe angazhimit të palëkundur për lirinë dhe demokracinë e Kosovës.
Në një postim përkujtimor, Osmani theksoi se Shaban Manaj, ish-kryetar i LDK-së në Istog, avokat dhe bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, i shërbeu me dinjitet vendit dhe idealeve të lirisë deri në rrëmbimin dhe vrasjen e tij më 23 korrik 2000.
Ajo vlerësoi kontributin e tij për LDK-në, Istogun dhe Kosovën, duke shtuar se vepra dhe sakrifica e Manajt do të mbeten frymëzim për brezat.
Ajo po ashtu përmendi se fëmijët e tij, e në veçanti deputeti Shkëmb Manaj, po vazhdojnë me dinjitet rrugën e tij në shërbim të Republikës së Kosovës.
Osmani theksoi se angazhimi për zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike të pasluftës dhe vendosjen e drejtësisë mbetet një përgjegjësi e vazhdueshme.


