Trump kërcënon Iranin: Për çdo sulm në Hormuz, SHBA do të shkatërrojë një urë ose termocentral!

featured
Press Online
22 Korrik 2026, 16:15

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke deklaruar se çdo sulm i ardhshëm iranian ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit do të pasohet nga goditje ushtarake amerikane ndaj infrastrukturës iraniane.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shkroi se SHBA do të përgjigjet duke bombarduar objektiva strategjikë në Iran.

“Nga kjo pikë e tutje, sa herë që Republika Islamike e Iranit qëllon një anije në Ngushticën e Hormuzit, qoftë me raketë, dron apo çdo lloj arme tjetër, Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë dhe shkatërrojnë një urë ose termocentral, përfshirë ato pranë ose në kryeqytetin Teheran”, shkruan Trump.

Më herët, Trump tha gjithashtu se objektivi i ardhshëm ushtarak mund të jetë kompleksi i njohur si Pickaxe Mountain, një objekt nëntokësor për të cilin SHBA dyshon se lidhet me programin bërthamor iranian.

“Ne do ta godasim atë zonë shumë shpejt dhe shumë rëndë”, u shpreh Trump.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni mbetet i hapur për diplomaci me Teheranin, por shtoi se nuk beson se Irani është serioz në negociatat.

Ndërkohë, Irani ka mohuar akuzat. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se në zonën e Kolang Kouh, e njohur edhe si Pickaxe Mountain, nuk zhvillohet asnjë aktivitet bërthamor.

Sipas tij, kërcënimet dhe sulmet e përsëritura të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së.

Baghaei theksoi gjithashtu se aktivitetet bërthamore të Iranit janë deklaruar pranë Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), ndërsa pretendimet amerikane për Pickaxe Mountain i cilësoi si një “pretekst të fabrikuar për agresion, shkatërrim dhe sabotim”.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter