Ndërtimi i stacionit filtrues për ujëra fekale në Shkup, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore dhe ekologjike në shtet, zhvillohet me dinamikë të përshpejtuar, ndërsa deri më tani janë realizuar afro 40 për qind të punëve ndërtimore.
Bëhet fjalë për projektin ekologjik më të madh dhe më bashkëkohor në Maqedoni, i cili përfshin ndërtimin e rreth 60 objekteve dhe ka për qëllim që përgjithmonë ta ulë ndotjen e lumit Vardar përmes trajtimit të ujërave fekale.
Nga Qyteti i Shkupit theksojnë se pas vonesës fillestare, të shkaktuar nga procedura të papërfunduara administrative, plane detaje urbanistike të pamiratuara, shpronësim të pazgjidhur të tokës dhe pagesa të vonuara drejt kontraktuesit, realizimi tani zhvillohet sipas dinamikës së paraparë.

Kryetari Orce Gjorgjievski vlerësoi se bëhet fjalë për projekt me rëndësi historike për kryeqytetin.
“Stacioni i trajtimit të ujërave të zeza është mburoja jonë më e madhe ekologjike dhe një projekt me rëndësi historike për Shkupin. Me ndërtimin e tij, do t’i japim fund ndotjes shumëvjeçare të Vardarit me ujëra të zeza të patrajtuara dhe do të krijojmë një mjedis jetësor më të shëndetshëm dhe më të sigurt për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme”, theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Sipas marrëveshjes së lidhur ndërmjet NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup dhe kontraktorit, përfundimi i aktiviteteve ndërtimore është paraparë në gjysmën e parë të vitit 2028. Pastaj do të vijojnë dy vite punë provë, e cila duhet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2030.
Realizimi i këtij projekti kapital nënkupton Vardar më të pastër, mjedis më të shëndoshë jetësor, standarde më të larta ekologjike dhe e ardhme më e sigurt për gjeneratat që vijnë.


