Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski tha se nuk do të shpallet gjendje epidemike në Gostivar derisa të zbardhet shkaku i rasteve me probleme gastrointestinale tek qytetarët.
Ai tha se autoritetet shëndetësore kanë nevojë për më shumë të dhëna nga anketat epidemiologjike për të identifikuar burimin e infeksionit.
Ministri u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me ekipet epidemiologjike, pasi informacionet nga pacientët janë të rëndësishme për përcaktimin e shkaktarit.
“Në hetimin epidemiologjik janë përfshirë më shumë institucione dhe po zhvillohen më shumë lloje analizash për të përjashtuar të gjitha mundësitë – nga metalet e rënda, parazitët, viruset e bakteret. Deri tani anketë epidemiologjike kanë plotësuar vetëm 19-të qytetarë, u apleoj qytetarëve të përgjigjen pozitivisht ndaj ftesave të shërbimeve epidemiologjike të Gostivarit dhe të bashkëpunojnë me ta. Na duhen shumë më tepër anketa epidemiologjike për të gjetur shkaktarin dhe për të lidhur burimet e mundshme të infeksionit”, tha Klekovski.
Ai tha se nuk mund të jep një mendim vlerësues për gjendjen e shkaktuar sepse me rastin merren epidemiologët.
“As unë dhe as drejtoresha e ndërmarrjes publike nuk mund të përcaktojmë shkaktarin. Për këtë janë epidemiologët. Ekziston Qendra e Shëndetit Publik dhe Instituti i Shëndetit Publik dhe duhet të pritet vlerësimi i tyre. Mund të them jozyrtarisht se gjasat që 1.000 persona të helmohen nga ushqimi janë shumë të vogla. Për më tepër, kjo situatë po zgjat tashmë katër ditë, prandaj, sipas logjikës sime, ushqimi mund të përjashtohet si burim i mundshëm”, tha Klekovski.





