Po skadon afati brenda të cilit partitë politike duhet të harmonizojnë qëndrimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por ende nuk ka asnjë zgjidhje në horizont. VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga kërkesa që diaspora të votojë në mënyrë elektronike ose me postë, ndërsa përpjekja e partisë Levica për t’i ulur në të njëjtën tryezë partitë opozitare me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për një njësi të vetme zgjedhore dështoi. Pas kësaj nisën akuzat dhe përplasjet politike se kush është më afër dhe më i lidhur me kryeministrin Hristijan Mickoski – LSDM-ja apo Levica, shkruan PressOnline.al
Pavarësisht thirrjes së javës së kaluar të komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, si dhe thirrjes së djeshme të ambasadorit të Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, që partitë të arrijnë marrëveshje pasi reformat janë thelbësore për rrugën evropiane të vendit, edhe dje secila parti mbeti në pozicionin e saj.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk është optimist se Kodi Zgjedhor do të miratohet dhe u bëri sërish thirrje partive opozitare të ulen dhe të bien dakord për një zgjidhje që do ta përfshijë edhe votimin e diasporës.
“Nuk jam optimist. Kemi të bëjmë me politikanë të papërgjegjshëm dhe të papjekur në opozitë. Ne, si koalicion qeveritar, e kemi harmonizuar qëndrimin tonë dhe ua kemi bërë të qartë: dakordohuni, përpilojeni tekstin dhe silleni në Kuvend. Përderisa në të përfshihet votimi i diasporës, ne do ta mbështesim pa kushte. Kaluan ditë të tëra, ndërsa ata u morën me debate se kush do ta thërrasë takimin dhe ku do të mbahet ai mes partive opozitare. I ftoj të tregojnë pjekuri dhe përgjegjësi, të ulen së bashku si opozitë dhe të arrijnë marrëveshje”, deklaroi Mickoski.
Ai rikujtoi edhe deklaratën e komisioneres Marta Kos, e cila javën e kaluar në Shkup theksoi se arritja e konsensusit për Kodin Zgjedhor është pjesë e paketës së reformave evropiane.
“Të gjithë e dëgjuan Marta Kos, e cila tha se kjo është pjesë e reformave të rëndësishme për integrimin evropian. Disa politikanë në opozitë janë të çuditshëm – kur bëhet fjalë për interesat e tyre, e kanë gojën plot Evropë, por kur duhet të tregojnë përgjegjësi si opozitë, bëjnë gjithçka që vendi të mos arrijë atje”, u shpreh Mickoski.
Nga LSDM reaguan se pretendimi se bllokimi i Kodit Zgjedhor pengon përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian është një manipulim i qëllimshëm.
Sipas tyre, Bashkimi Evropian nuk kërkon ndryshimin e Kodit Zgjedhor sipas dëshirës së një partie politike, por kërkon zgjedhje të besueshme, të ndershme dhe transparente, një sistem gjyqësor të pavarur dhe luftë efektive kundër korrupsionit.
“Pikërisht këto janë çështjet që VMRO-DPMNE i ka bllokuar prej vitesh. Edhe pse përmirësimi i legjislacionit zgjedhor është pjesë e agjendës së gjerë reformuese, zgjidhjet konkrete që po promovon aktualisht pushteti nuk janë detyrim ndaj Bashkimit Evropian dhe as kusht për përparimin e procesit negociues. Këto janë propozime të vetë qeverisë, jo kërkesa evropiane. Janë zgjidhje që hapin hapësirë për manipulime dhe kontroll të procesit zgjedhor, veçanërisht në pjesën e votimit të diasporës. Në vend që të merremi me mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve, po ushtrohet presion që të pranohen zgjidhje që mundësojnë vjedhjen e zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e LSDM-së, përcjell PressOnline.al
Nga Levica përsëritën se refuzimi i LSDM-së për t’iu bashkuar një fronti opozitar rreth idesë së një njësie të vetme zgjedhore përbën një sabotim të vetëdijshëm. Ata i akuzojnë socialdemokratët për një marrëveshje të fshehtë me VMRO-DPMNE-në, me qëllim që Kodi Zgjedhor të mbetet i pandryshuar.
“Kjo është një marrëveshje operative ndërmjet aktorëve të rendit të vjetër për të mbajtur gjallë këtë model, sepse pikërisht ky model i ushqen ata dhe dëmton Levicën. Përmes njësive shumëmandatëshe të projektuara me saktësi kirurgjikale, secila prej këtyre partive përpiqet të ruajë pozitat e veta dhe të sigurojë numër deputetësh që nuk përputhet me mbështetjen reale që kanë te qytetarët. Çdo përpjekje për ta reformuar në thelb Kodin Zgjedhor has në të njëjtën mbrojtje – retorika është e ndryshme, por rezultati është gjithmonë i njëjtë. VMRO-DPMNE luan një rol, LSDM një tjetër, por përfundimi mbetet i pandryshuar. Bashkimi i opozitës për një njësi të vetme zgjedhore mund ta thyente më në fund këtë cikël, por LSDM vendosi që kjo ide të shuhet që në embrion”, thuhet në reagimin e Levicës.
Mospajtimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nisën që në muajin prill. LSDM u tërhoq nga grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë pasi, pavarësisht paralajmërimeve të opozitës, shumica qeverisëse e shfuqizoi modelin e të ashtuquajturës qeveri teknike para zgjedhjeve parlamentare. Ky model ishte vendosur me Marrëveshjen e Përzhinës në vitin 2015, si mekanizëm për tejkalimin e krizës politike të asaj kohe.(PressOnline.al)





