Bekim Sali në Kiev: RMV riafirmon mbështetjen për Ukrainën

featured
Press Online
15 Korrik 2026, 13:10

Zëvendëskryeministri i Parë Bekim Sali u prit nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleksandr Mischenko.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mbërriti sot në Kiev për të marrë pjesë në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore, i cili organizohet me rastin e Ditës së Shtetësisë së Ukrainës.
Me mbërritjen në Ukrainë, Ministri Sali u prit nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleksandr Mischenko, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Ukrainë, Dimitar Blazhevski, si dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës dhe zyrtarë të tjerë.

Pjesëmarrja e Zëvendëskryeministrit të Parë në këtë samit paraqet një konfirmim të mbështetjes së vazhdueshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, si dhe për perspektivën evropiane të vendit.

Gjatë qëndrimit në Kiev, Ministri Sali do të marrë pjesë në sesionin plenar të Samitit Ukrainë – Evropa Juglindore, ku pritet të riafirmojë përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e Ukrainës dhe gatishmërinë për të ndarë përvojën dhe ekspertizën e fituar gjatë procesit të integrimit evropian.

Samiti mbledh liderë dhe përfaqësues të lartë nga Ukraina dhe vendet e Evropës Juglindore, me fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal, mbështetjen për Ukrainën dhe avancimin e agjendës së saj evropiane.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter